Jeremy Jones e vizitoi Institutin

Shkup, 20.05.2019 – Sot në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve ishte në vizitë Jeremy Jones – drejtor i Çështjeve Ndërkombëtare dhe Komunitare të Australisë, i cili njëherazi është edhe drejtor i Këshillit Izraelito-Australian për Çështjet Hebraike.

Ai u prit nga drejtori i Institutit, Dr. Skender Asani, Sekretari Shkencor, Dr. Zeqirija Ibrahimi, dhe asistenti hulumtues, Mr. Isamet Bakiu.

Në këtë takim u fol për përvojat australiane të komunikimit ndërreligjioz, me ç’rast z. Jeremy shpjegoi se Australia është ndoshta vendi i vetëm në botë ku komunitetet religjioze bashkekzistojnë mes vete pa shënuar as edhe një incident të vetëm, madje dha plot shembuj se si të krishterët, myslimanët dhe hebrenjtë bashkëpunojnë për shumë çështje dhe kultivojnë dashuri të ndërsjellë mes vete.

Drejtori Asani, nga ana e tij, e falënderoi mysafirin për vizitën dhe e njoftoi me përpjekjet që i ka bërë dhe i bën Instituti në këtë drejtim, duke ndërtuar ura bashkëpunimi me të gjitha komunitetet religjioze në vend, ndërsa në këtë drejtim e veçoi themelimin e departamentit të Studimit dhe Edukimit për Holokaustin.

Pas këmbimit të përvojave, u bisedua edhe për mundësitë e bashkëpunimit dhe ofrimit të ndihmës së ndërsjellë, si dhe pjesëmarrjes në konferenca e aktivitete të përbashkëta.

Shikoni gjithashtu

ITSHKSH e përkujton studiuesen Lindita Ahmeti

Shkup, 22 prill 2024  – Në shenjë nderimi të hulumtueses së punësuar në ITSHKSH, Lindita …