ITSHKSH e përkujton studiuesen Lindita Ahmeti

Shkup, 22 prill 2024  – Në shenjë nderimi të hulumtueses së punësuar në ITSHKSH, Lindita Ahmeti, që para dy javësh u nda nga kjo botë, Instituti sot mbajti një mbledhje komemorative për studiuesen, poeten, përkthyesen dhe miken tonë. Në praninë e familjarëve, kolegëve dhe miqve të saj të zemrës e mes fjalëve të sinqerta plot mall dhe mirënjohje, me këtë rast morën fjalën disa nga kolegët dhe miqtë e saj më të afërt, si dhe babai i saj profesor Xhabir Ahmeti.

Në fjalën e tij drejtori i Institutit, Skender Asani, duke kujtuar karakterin aq të përkushtuar të Linditës, e cila shpesh punonte deri në orët e vona në Institut, shprehu vlerësimin e tij të thellë për trashëgiminë e pasur krijuese e shkencore që ajo la pas, për nder të së cilës biblioteka e Institutit do të marrë emrin e saj. “Biblioteka e Institutit tonë do të mbaj emrin e Lindita Ahmetit, jo vetëm për shkak se ajo ishte punonjëse e jona, por ajo kishte edhe një lidhje të veçantë, madje edhe emocionale me Institutin tonë, duke e shprehur këtë në çdo moment dhe rast që i jepej”, tha ai.

Kolegia dhe  dhe studiuesja Valdeta Hajdari Kasapi, duke paraqitur biografinë shumëpalëshe të Lindita Ahmetit numëroi punimet e saja të botuara në shumë revista, pjesëmarrjen e saj në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe përkthimet dhe poezinë e saj, për të cilën është shpërblyer me çmime të shumta.

Si koleg i afërm i Linditës, në ngjarje mori fjalën dhe udhëheqësi i departamentit të letërsisë në ITSHKSH, shkrimtari Emin Azemi, i cili mes shumë fjalëve të admirimit, vlerësoi aspektin e thellë njerëzor të Linditës, por edhe dashurinë e saj të madhe për librat. “Ajo ishte poete, por gama e formimit të saj intelektual dhe profesional shkonte përtej formimit të zakonshëm të një poeteje. Ajo mund të hidhte çdo mendim në peshoren e argumenteve duke cituar autorë dhe libra nga më të ndryshmit”, u shpreh Azemi.

Ndërkaq, Fatmir Sulejmani, si një mik dhe bashkëpunëtor i Linditës, tha: “Ishte e veçantë si njeri, shembullore si mike, e paarishtme si poete dhe krijuese. Përkundër fatkeqësisë me të cilën e përballi jeta, rrezatoi gjithnjë virtyte të larta njerëzore. E donte popullin e vet dhe gjithë njerëzit e kësaj bote.”

Në emër të komunitetit të poetëve dhe miqve të Linditës, poeti Bardhyl Zaimi e cilësoi ligjerimin e saj të veçantë poetik si një vepër që kapërcen kapacitetet e zakonshme poetike dhe gjuhësore. “Poezia e Linditës pa dyshim është e përmasave evropiane dhe botërore dhe në vitet e ardhshme do të duhet të studiohet më tepër nga kritikët letrarë”.

Ngjarjen e mbylli fjalimi prekës i babait të Linditës z. Xhabir Ahmeti, i cili të bijën e thërriste “spartane”, sepse qysh e vogël kishte forcën të kacafytej guximshëm dhe luftonte me sfidat e jetës.

Pa dyshim, emri i Lindita Ahmetit nuk do të harrohet asnjëherë dhe do të jetë i pavdekshëm për kolegët e saj, por edhe për të gjithë shkrimtarët dhe adhuruesit e fjalës poetike shqipe.

Lavdi shpirtit të saj!

 

Shikoni gjithashtu

ITSHKSH ORGANIZON KONFERENCËN SHKENCORE “ZEJTARIA DHE PUNIMET ARTIZANALE NË TREVAT SHQIPTARE”

 INSTITUTI I TRASHËGIMISË SHPIRTËRORE E KULTURORE TË SHQIPTARËVE – SHKUP   organizon konferencën shkencore vjetore “Java …