Institucionit Publik Shkencor (IPSh) Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITShKSh), me seli në Shkup, është institucioni i parë dhe i vetëm në Republikën e Maqedonisë së Veriut, i cili merret me ruajtjen, kultivimin dhe avancimin e trashëgimisë kulturore – historike të shqiptarëve në këtë pjesë të Ballkanit.
Selia e parë ku u vendos ky institut ishte në Kurshumlihan të Çarshisë së Vjetër të Shkupit, ndërsa tani ndodhet në objektin e ish-Ambasadës Amerikane (Adresa: “Bulevardi Ilinden”, nr. 99, Shkup), i pajisur me inventar dhe kushte relativisht të mira të punës kërkimore-shkencore.
Prej themelimit e deri më tani, ITSHKSHM u drejtua nga dr. Mirushe Hoxha, dr. Ramiz Abdyli, dr. Naim Halimi (u.d.), dr. Shefqet Zekolli, ndërsa drejtor aktual është dr. Skender Asani.
Në këtë institut janë të angazhuar afër 50 punëtorë administrativ dhe shkencorë, kryesisht magjistra dhe doktorë të shkencave të fushave filologjike dhe historike.
ITShKSh filloi të funksionojë me pesë departamente, ndërsa në vitet e fundit u zgjerua dhe tani numëron dhjetë departamente:
- Departamenti i Gjuhës Shqipe,
- Departamenti i Letërsisë Shqipe,
- Departamenti i Historisë së Shqiptarëve në Maqedoni dhe i Lëvizjeve Demografike,
- Departamenti i Etnologjisë, Historisë së Artit dhe Arkitekturës Popullore,
- Departamenti i Lidhjeve Kulturore, Historike e Gjuhësore mes Shqiptarëve dhe Maqedonasve me Popujt tjerë të Rajonit,
- Departamenti i Marrëdhënieve Shqiptare – Osmane,
- Departamenti për Edukimin dhe Studimin e Holokaustit,
- Departamenti i Muzeologjisë,
- Departamenti i Kulturës Materiale,
- Departamenti i Trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës.
ITSHKSH ka organin e vet, revistën shkencore ‘Studime albanologjike’, në të cilën botohen materiale nga sfera të ndryshme të gjuhësisë, letërsisë, folklorit, etnologjisë, historisë, etj., që ndërlidhen me albanologjinë dhe përgjithësisht shqiptarët e këtyre trevave.
Materialet e konferencave shkencore botohen në periodikun e quajtur “Scupi”. Gjithashtu, botohen edhe edicione të veçanta, siç janë: “Ballkanologjia”, “Kalendari albanologjik”, “Ditët e Alfabetit”, etj. Veprimtaria botuese e ITShKSh-së është shumë e begatshme, dhe brenda një viti kalendarik botohetn nga 20 deri në 30 botime (libra shkencore, revista, etj.)
Prej vitit 2014, Ministria e Arsimit të Republikës së Maqedonisë, ka akredituar studimet pasdiplomike në ITShKSh. Programet studimore janë dyvjeçare, sipas sistemit të kredive ECTS, në drejtimin Histori e Marrëdhënie Ndërkombëtare.
ITShKSh ka bashkëpunim të ngushtë me shumë institucione relevante vendore dhe ndërkombëtare, që për fokus të interesimit kanë ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve.