Qasje në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit Shqiptar

Tiranë, 17.5.2019 – Sot në Tiranë u nënshkrua marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup dhe Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit nga Tirana.

Kjo marrëveshje parasheh që studiuesit e Institutit të mund të realizojnë hulumtime shkencore për dosjet e ish sigurimit të shtetit shqiptar, veçanërisht për çështje që kanë të bëjnë me shqiptarët e Maqedonisë gjatë periudhës së monizmit.

Nënshkrimi u bë nga drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve nga Shkupi, Dr. Skender Asani, dhe kryetarja e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, znj. Gentiana Sula.

Me këtë rast Drejtori Asani deklaroi: “Kjo marrëveshje bashkëpunimi për neve paraqet një faqe krejt të re dhe një mundësi krejt të re, të paprovuar nga askush më parë, që në mënyrë institucionale – përmes studimit në dokumentacionin në ish-Sigurimin e Shtetit, ta njohim saktë dhe drejt të kaluarën tonë. Sepse, edhe si historianë që jemi, ne e dimë mirë se pa njohjen e së kaluarës, nuk mund ta projektojmë as të ardhmen.”

Marrëveshja e bashkëpunimit u nënshkrua në kuadër të konferencës shkencore “Fytyra e ‘armikut të popullit’ gjatë diktaturës së proletariatit në Shqipëri 1944-1990”, që po mbahet sot në Tiranë dhe ku, mes shumë studiuesve e historianëve, po merr pjesë edhe Dr. Skender Asani.

Shikoni gjithashtu

AKADEMI SOLEMNE NË ITSHKSH, NË SHENJË TË RUAJTJES DHE ZHVILLIMIT TË ABC-së SHQIPE

“Sot, kur po kremtojmë një festë të dyfishtë – 116 vjetorin e Kongresit të Manastirit …