Sot (e diel) në ITSHKSH u organizua promovimi i librit “Qamili i Vogël, këngëtari i madh”, i autorëve Sulejman Salihu dhe Sali Berisha, ngjarje kjo që përkon me 100 vjetorin e lindjes dhe 30 vjetorin e vdekjes së Qamili të Vogël.
Doajeni dhe ikona e këngës shqipe këndej Drinit, Qamili i Vogël, është shumë i njohur për publikun gjithshqiptar dhe kjo i kishte nxitur autorët që të shkruajnë këtë libër, si një borxh ndaj Qamilit të Vogël për të gjithë vlerat muzikore-artstike që rrezatonte arti i tij specifik i këndimit. Kjo monografi përfshin gjithë veprimtarinë artIstike të Qamilit të Vogël, e cila nuk ka qenë e pasqyruar gjithaq në media. Libri është një përmbledhje e poetikës së teksteve dhe këngëve të Qamilit të Vogël, ku lexuesi mundet më detajisht të njoftohet me motivet, temat dhe preokupimet e këngëve të këtij doajeni të këngës shqipe.
Qamil i Vogël ndonëse ishte autoditakt në pikëpmaje të edukimit muzikor, ai megjithatë arriti të depërtojë në feshtësinë e këngës duke i dhënë asaj ritmin dhe ngjyrën e duhur , një punë kjo që nuk linte asgjë mangut sa i përket metodikës muzikologjike çfarë mësohej nëpër shkolla.
Shkupi si një kryeqendër shpirtërore e shqiptarëve ka krijuar historinë e saj, kurse një copëz të kësaj historie e ka shkruar edhe Qamili i Vogël. Gjatë historisë janë bërë plane të shumta për ta ndryshuar rrjedhën normale të ngjarjeve në Shkup, kurse tërmeti katastrofal i viti 1963 ishte ngjarja më fatkobe që i dha një dimension tragjik të ardhmes së shqiptarëve në Shkup, sidomos në rrafshin demografik e urbanistik, për arsye se që nga ky vit filloi të zbatohet një plan i heshtur por shumë i dësmshëm për largimin e shqiptarëve nga pjesët urbane dhe qendrore të Shkupit dhe dëbimin e tyre në periferi, ose jashtë Maqedonisë. Një prej lagjeve të tilla që banohej kryesisht me gjakovarë, përjetoi këtë shpërfytyrim që ia bëri politika zyrtare e atëhershme, lagje kjo që nuk ekziston më, e cila ndodhej pikërisht aty ku sot është kompleksi i Universitetit shtetëror të Shkupit.
Shqiptarët duke mos pasur institucione që t’iu kundërvihen këtyre planeve, përmes këngës kanë shprehur revoltën e tyre, siç ishte edhe kënga e njohur për tërmetin e Shkupit, e kompozuar dhe e kënduar nga Qamili i Vogël, të cilën këngë sot patëm rastin ta dëgjojmë nga Selajdin Miftari, njëri nga ndjekësit më të pasionuar dhe kultivuesit me autentik të këngëve të Qamilit të Vogël.
Me këtë rast dua të faleminderoj, këngëtarin Seladin Miftarin për atmosferën që solli me këngët e Qamilit të Vogël, si dhe prof. Blerim Grubin, autorët e librit, redaktorin dhe lektorin Sulejman Dërmakun, recensentët si dhe të gjithë ata që erdhën në këtë promovim për ta nderuar Qamilin e Vogël, figurën emblematike të këngës shqipe./ SA
Shkup, 14. 07. 2024