Idaete Sinani mbrojti disertacionin e doktoraturës në shkencat filologjike 

Shkup, 12 korrik 2024 – Sot në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Shkupit, hulumtuesja shkencore e ITShKSh-së, Idaete Sinani, me sukses e mbrojti disertacionin e doktoraturës dhe e mori titullin doktore e shkencave filologjike.

Tema e disertacionit “E folmja shqipe e fshatrave të Shkupit me prejardhje nga Reka e Epërme e Gostivarit” u mbrojt publikisht para komisionit në përbërje: prof.dr.Ajten Qamili – mentore, prof.dr.Asllan Hamiti – kryetar i komisionit, si dhe anëtarët e komisionit: prof.dr.Valbona Toska, prof.dr. Ismet Osmani dhe dr. Hidajete Azizi.

Disertacioni në fjalë u vlerësua si një hulumtim origjinal shumë i rëndësishëm shkencor, fryt i një pune disavjeçare në terren e kandidates Idaete Sinani, njëkohësisht duke kombinuar disa metoda shkencore.

Idaete Sinani i ka mbaruar studimet themelore në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Shkupit, ku edhe ka magjistratuar në fushën e dialektologjisë shqiptare.

Që nga viti 2018 është hulumtuese shkencore në Departamentin e Gjuhës Shqipe në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, autore e shumë punimeve shkencore dhe pjesëmarrëse nëpër konferenca të ndryshme shkencore kryesisht në fushën e gjuhës, dialektologjisë dhe kulturës shqiptare.

 

 

Shikoni gjithashtu

U shënua 44-vjetori i Pranverës së Dinjitetit dhe u ndan diplomat e magjistrantëve

Shkup, 11.03.2025 – Sot në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup …