Shkup, 15 mars 2018 – Ashtu si në vitin 1999 kur, pas bombardimeve të NATO-s disa huliganë e dogjën Ambasadën e SHBA-ve në Shkup, mbrëmë përsëri – pas miratimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve – përsëri ky objekt, që tash është në shërbim të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, është sulmuar nga huliganë të tillë dhe është vandalizuar.
Siç mund të shihet nga këto fotografi, mbrëmë gjatë natës në muret rrethuese të Institutit janë shkruar slogane fashiste kundrejt shqiptarëve, madje janë vizatuar edhe shenja që ky të shënjohet si objekt që duhet sulmuar.
Duke qenë institucioni i vetëm që i ka tubuar të gjitha etnitë dhe religjionet në aktivitetet e tij, duke shfaqur interes edhe për komunitetet më të vogla, siç janë hebrenjtë dhe mbrojtja e tyre, ITSHKSH-ja e gjykon këtë akt vandal dhe shpreh keqardhje që, edhe pas gjithë kësaj pune të Institutit në afrimin e komuniteteve në vend, përsëri sulmohet pikërisht kjo çerdhe e shoqërisë multientike në Maqedoni.
Me këtë rast ITSHKSH kërkon nga organet e rendit që vandalët të zbulohen sa më parë dhe të nxirren para drejtësisë, ndërsa u bën thirrje të gjitha komuniteteve në vend që ta ruajnë gjakftohtësinë, sepse vendi ynë po kalon në një kapërcyell të rëndësishëm të historisë së tij në rrugën euro-atlantike dhe për këtë të gjithë ne jemi përgjegjës për të ardhmen e tij.
Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup