Promovohet “Shkupi për Vitin e Skënderbeut (1468-2018)”

Shkup, 2 mars 2018 – Sot në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, u shënua 574 vjetori i Besëlidhjes së Lezhës dhe u promovua libri “Shkupi për Vitin e Skënderbeut (1468-2018)”, me materiale nga Akademia solemne mbajtur më 17 janar 2017 në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.
Aktivitetet për “Vitin e Skënderbeut” në Maqedoni zhvillohen nën patronazhin e kryetarit të Kuvendit republikan, Talaf Xhaferi, ndërsa bartës për organizimin e aktiviteteve është Instituti shqiptar i Shkupit.
Me këtë rast, kryetari Xhaferi theksoi rëndësinë e përkujtimit të këtyre ngjarjeve të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, të cilat kanë si simbol heroin tonë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. “Është nderë për kuvendin dhe mbarë vendin që kjo figurë po reflekton pozitivitet dhe pas gati gjashtë shekujve, duke pasur kësaj radhe edhe trajtimin e duhur institucional“, u shpreh Xhaferi.
Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, tha se “Skënderbeu është figura më përbashkuese e të gjithë brezave, në rrugën e gjatë e të mundimshme për liri dhe barazi të arbërorëve të dikurshëm e shqiptarëve të mëvonshëm e të sotëm”. Ai përgëzoi punën e Institutit dhe theksoi edhe vlerën e madhe që mund të bartë botimi në fjalë, duke gërshetuar punime shkencore të studiuesve të njohur të kësaj periudhe historike, e që vijnë jo vetëm se nga mesi i shqiptarëve, por edhe maqedonasve dhe studiuesve të huaj.
Drejtori i Institutit, Skender Asani, tha se forca e Skenderbeut buronte pikërisht nga Besëlidhja e Lezhës, dhe ajo u bartë në dhjetëra betejat e tij të suksesshme. Duke folur për librin, Asani tha se “E veçanta e këtij botimi pa dyshim është se në të, si rrallëkund tjetër, janë përfshirë qasje shqiptare, maqedonase dhe të huaja, duke e sjellë një Skënderbe që pakkush deri tash e ka vërejtur. Është ky Skënderbeu që unifikon dhe nuk na përplas, është ky Skënderbeu, që i bashkon kombet dhe që jep mesazhin e bashkëjetesës. Zaten, kjo nuk do të ishte e mundur askund, pos në Shkup – në çerdhen multietnike dhe multireligjioze të Ballkanit”.
Në këtë promovim, foli edhe historiani Vllado Popovski, i cili theksoi se personaliteti i veçantë Skënderbeut edhe sot vazhdon të reflektojë gjithanshëm, duke qenë njeriu më i vlerësuar në këtë pjesë të Evropës dhe më gjerë, si mbrojtës i vlerave euro-perëndimore.
Libri “Shkupi për Vitin e Skënderbeut (1468-2018)”, përpos fjalëve përshëndetëse të Akademisë solemne të mbajtur në Kuvend më 17 janar 2008, përmban edhe disa punime shkencore të studiuesve vendor dhe ndërkombëtar për figurën e Skënderbeut. /www.itsh.edu.mk/

Shikoni gjithashtu

AKADEMI SOLEMNE NË ITSHKSH, NË SHENJË TË RUAJTJES DHE ZHVILLIMIT TË ABC-së SHQIPE

“Sot, kur po kremtojmë një festë të dyfishtë – 116 vjetorin e Kongresit të Manastirit …