Shqipëria reagon për sulmet ndaj Institutit shqiptar në Shkup

Deklaratë e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë

Tiranë, 15.3.2018 – Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë shpreh indinjatën e thellë dhe dënon gjuhën e urrejtjes e sloganet ksenofobe kundër shqiptarëve në muret rrethuese të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

Kjo është hera e disatë që institucionet kulturore që ruajnë dhe pasqyrojnë historinë, traditat, gjuhën dhe kulturën shqiptare dhunohen qëllimisht e në mënyrë të papranueshme nga akte, të cilat kërkojnë të mbjellin urrejtje, përçarje e të nxisin tensione mes komuniteteve. Këto akte, pikërisht në momentet kur afrimi dhe kohezioni ndëretnik njeh hapa progresi drejt forcimit të mëtejshëm janë sulm i drejtëpërdrejtë ndaj paqes, stabilitetit e harmonisë ndëretnike në vendin fqinj.

Besojmë se këto sulme janë veprime të një grupi të vogël njerëzish të nxitur nga ndjenjat nacionaliste ekstreme, si dhe veprimet obstruksioniste e retorika e dëmshme e ditëve të fundit nga segmente të politkës së vjetër pas miratimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhës Shqipe në Maqedoni.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë u kërkon autoriteteve të Maqedonisë zbardhjen sa më shpejt të këtij akti vandal, hetimin dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve të këtyre sulmeve, të cilat bien ndesh e cënojnë frymën e bashkëjetesës dhe harmonisë në Maqedoni e në gjithë rajonin.

Burimi: http://www.punetejashtme.gov.al/al/zyra-e-shtypit/deklarata-per-shtyp/deklarate-e-ministrise-per-evropen-dhe-punet-e-jashtme1521140433&page=1

Shikoni gjithashtu

AKADEMI SOLEMNE NË ITSHKSH, NË SHENJË TË RUAJTJES DHE ZHVILLIMIT TË ABC-së SHQIPE

“Sot, kur po kremtojmë një festë të dyfishtë – 116 vjetorin e Kongresit të Manastirit …