Aziri: Instituti, partner serioz në zhvillimin e kulturës shqiptare

Shkup, 28.3.2018 – Sot Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, e vizitoi sekretari shtetëror i Ministrisë së Kulturës, Valmir Aziri, i cili realizoi takim me drejtorin e Institutit, Skender Asani, dhe bartësit e projekteve të miratuara nga Ministria e Kulturës për vitin 2018.

Me këtë rast, drejtori i Institutit e falënderoi sekretarin Aziri për angazhimin në përkrahjen e 11 projekteve, meqë për herë të parë nga kjo ministri, sivjet janë mbështetur të gjitha projektet me të cilat Instituti ka konkurruar. “Kemi të bëjmë me një vistër të gjerë të projekteve që vijnë nga sfera e trashëgimisë shpirtërore e kulturore, botimet e librave dhe revistave, projekte nga fusha e folklorit, si dhe projekte interdisiplinare dhe ndërkombëtare”, tha drejtori Asani.

Ndërsa, sekretari shtetëror i Ministrisë së Kulturës, Valmir Aziri, theksoi se kjo ministri është e hapur për institucione kredibile dhe serioze, të cilat merren me ruajtjen dhe kultivimin e kulturës shqiptare. “Ne vlerësojmë se Instituti është alfa dhe omega për çështje që kanë të bëjnë nga sfera e trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve këtu, prandaj mbështetja jonë  e parezervë nuk ka munguar, dhe e njëjta duhet të forcohet edhe më tutje nga institucionet tjera relevante. Ministria e Kulturës, Institutin e sheh si një partner serioz në realizimin e projekteve që kanë rëndësi të madhe në ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës shqiptare në Maqedoni”, u shpreh sekretari Aziri.

Në mesin e projekteve që pritet të kenë impakt më të madh në projeksionet e këtushme  kulturore, janë evaluimi i dyzërëshit te shqiptarët e Maqedonisë, që më vonë përgatitet për konkurrim në UNESKO. Pastaj është seminari i ballkanologjisë dhe komunikimeve interballkanike, i cili starton sivjet, me pjesëmarrjen e një numri të madh të studiuesve të njohur nga gjithë Ballkani, si dhe prezantimi i kulturës dhe traditave të shqiptarëve katolikë të Shkupit në arenën ndërkombëtare. /www.itsh.edu.mk/

Shikoni gjithashtu

NËNA TEREZE U ANGAZHUA QË NJERIU TË MOS I NGJAJË NJË SKELETI TË ZHVESHUR NGA NDJESIA NJERËZORE

Sipas Nënës Tereze natyra njerëzore ka nevojë më tepër për anën shpirtërore sa sa materiale …