Shkup, 14 tetor 2012 – Në përmbyllje të Konferencës shkencore “Veprimtaria atdhetare e Hasan Prishtinës”, doli propozimi që të inaugurohet dhe ndahet Çmimi vjetor shtetëror ‘Hasan Prishtina’, për personalitete të shquara në sferën e krijimtarisë shkencore, arsimore, kulturore dhe diplomaci e shkenca politike.
Propozimin e dha prorektori i UEJL-së, Prod.Dr.Blerim Reka, i cili duke e elaboruar propozimin, tha që si kurorë e kësaj konference shkencore dyditore, inaugurimi i këtij çmimi do të jetë edhe një respekt më shumë veprimtarinë atdhetare të patriotit të madh Hasan Prishtina.
Drejtori i ITSHKSH-së, Dr.Shefqet Zekolli, me kënaqësi e pranoi propozimin, e cili u duartrokit nga gjithë studiuesit dhe të pranishmit tjerë në konferencë. Ai mori për obligim që kjo nismë të procesuohet më tej nëpër institucionet përkatëse shtetërore.
Dr. FemiPushkolli propozoi që në Këshillin për ndarjen e këtij çmimi, të jenë persona me kompetencë nga Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova.
Ndryshe, sot në sallën e komunës Çair të Shkupit, vazhdoi senaca e tretë dhe e fundit e konferencës shkencore, ku referues nga të gjitha trojet etnike shqiptare, paraqitën pikëpamjet e tyre lidhur me figurën madhore të Hasan Prishtinës.
Në fjalën e tij përmbyllëse, Prof.Dr. Qemal Muratik, tha se kishim mbi 40 kumtesa nga studiues të njohur të shkencave humane nga vendi dhe jashtë, duke marrë konferenca edhe karakterin mbarëkombëtar dhe ndërkombëtar. Kjo konferencë shënoi arritje të re të rëndësishme rreth figurës poliedrike të Hasan Prishtinës, theksoi Murati.
Sot pasdite inaugurohet shtatorja e Hasan Prishtinës, përpara QT “Mavrovasja” – në Shkup.
Organizator i këtij manifestimi të madh kulturor-shkencor është Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni – Shkup.
Ndërsa aktivitetet janë mbështetur nga Komuna Çair – Shkup, kryetar Izet Mexhiti dhe Mehmet Prishtina – pinjoll i familjes së Hasan Prishtinës. /itshksh/
……………………………………………………………………………………………………………………………………….
One comment
Pingback: mejaqq