Të martën (më 14 prill 2026) në Fakultetin e Filologjisë “Bllazhe Koneski” në Shkup u mbajt
tribuna shkencore “Gjuha dhe kultura”, e cila u organizua nga Katedra e Gjuhës dhe e
Letërsisë Shqiptare dhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve –
Shkup.
Tribunën e hapi shefi i Katedrës së Gjuhës dhe e Letërsisë Shqiptare, prof. dr. Ismet Osmani,
i cili i përshëndeti të pranishmit dhe u uroi mirëseardhje. Pastaj ia dha fjalën dekanit të
Fakultetit të Filologjisë “Bllazhe Koneski” – Shkup, prof. dr. Vlladimir Martinovski, i cili i
përshënderti punimet e kësaj tribune dhe përçoi mesazhin se vetëm përmes dialogut shkencor
dhe komunikimit krijohet mundësia për avancimin e shkencës dhe, në përgjithësi, të
shoqërisë multietnike. Në hapje të tribunës fjalë rasti pati edhe drejtori i Institutit të
Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, prof. dr. Besnik Emini, i cili
theksoi se diskutimi shkencor për gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare, veçmas në këtë kohë,
është prurje dhe ndihmesë e rëndësishme për t’i rrafshuar edhe dallimet isntitucionale në
lidhje me gjuhën shqipe.
Pas kësaj vijoi sesioni shkencor i drejtuar nga prof. Dr. Asllan Hamiti dhe prof. dr. Zeqirija
Ibrahimi. Me këtë rast u prezantuan këto kumtesa shkencore:
1. Agim Leka: Interkulturalizmi përmes përkthimit letrar
2. Asllan Hamiti: Të ruajmë sistemin rasor të shqipes
3. Mirushe Hoxha: Studimet albanologjike në Republikën e Maqedonisë së Veriut:
dimensionet kyçe dhe perspektiva e zhvillimit
4. Valbona Toska: Cilësia e gjuhës në përdorimin zyrtar në Maqedoninë e Veriut – sfida të
standardit dhe të praktikës institucionale
5. Zeqirija Ibrahimi: Sfidat dhe detyrimet e sotme të albanologjisë në RMV
6. Ajten Qamili: Roli i studimeve albanologjike në RMV dhe perspektivat e tyre në
hapësirën akademike
7. Hidajete Azizi: Gjendja dhe perspektiva e studimeve onomastike në RMV
8. Idaete Sinani: Studimet dialektologjike në RMV: Përvoja kërkimore dhe perspektivat
9. Shpresa Purde Mehmeti: Veprat e shkrimtarëve shqiptarë të përkthyer në gjuhën
maqedonase
10. Ardian – Gëzime Ramadani: Vështrime dhe përvoja në përkthime nga shqipja në
maqedonisht
11. Bekim Adili: Analizë e raportit ndërmjet gjuhës maqedonase dhe gjuhës shqipe
12. Valdeta Kasapi: Gjuha e shenjave shqip në RMV
13. Laura Papraniku – Bejtullau: Roli i redaktorëve gjuhësorë në mjetet e komunikimit
14. Farketa Dibra: Zhvillimi i kulturës gjuhësore për përdorim zyrtar nëpërmjet
mësimdhënies së gjuhës shqipe në shkollë
15. Onur Rexhepi: Denduria e përdorimit të fonemave në gjuhën standarde shqipe
Konkluzioni i përgjithshëm i kësaj tribune shkencore ishte se albanologjia në RMV ka nevojë
për më shumë mbështetje institucionale që të mund të prodhojë më shumë kuadro, më shumë
cilësi të përdorimit të gjuhës shqipe, por edhe më shumë interaksion në shoqërinë multietnike
në vendin tonë.

ITSH Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup