Promovohet libri “Isa Boletini në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare”

isa boletini

Shkup, 22.1.2016, Sot në Shkup u promovua libri “Isa Boletini në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare”, me materiale nga konferenca shkencore mbajtur më 5 qershor 2015 në Prishtinë.

Në të vërtetë, ky projekt ishte fryt i bashkëpunimit në mes të Institutit të Historisë “Ali Hadri” – Prishtinë, Institutit të Historisë – Tiranë, dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup.

Promovimin e përshëndeti pinjolli i familjes së Isa Boletinit, z.Gazmend Boletini, i cili theksoi rëndësinë e madhe të këtij libri për historiografinë shqiptare.

Edhe kryetari i Komunës Saraj të Shkupit, Bekim Murati, u shpreh i entuziazmuar, që ngrtitjes së shtatores së Isa Boletinit në Saraj, i parapriu ky përurim libri për figurën e heroit të madh popullor Isa Boletini.

Më tej, rreth rëndësisë së konferencës shkencore  dhe bashkëpunimit të ndërsjellë, folën drejtori i Institutit të Historisë së Prishtinës, Prof.dr.Sabit Syla, dhe drejtori i ITSHKSH-së, Doc.dr.Skender Asani, të cilët çmuan lartë figurën e Isa Boletinit dhe këtë përmbledhje me materiale shkencore historike.

Ndërsa, më hollësisht rreth përmbajtes së librit, folën Prof.dr.Sabile Keçmezi-Basha nga Instituti i Historisë së Prishtinës, dhe Doc.dr.Sevdail Demiri nga ITSHKSH-Shkup.

Në këtë libër me mbi 360 faqe, janë botuar kumtesat shkencore të 24 studiuesve të njohur shqiptarë nga të gjitha trojet etnike shqiptare, duke e ndriçuar figurën e heroit kombëtar Isa Boletini në më shumë aspekte.

Libri u botua me rastin e 100 vjetorit të rënies së Isa Boletinit, dhe me rastin e ngritjes së shtatores së tij në Komunën Saraj të Shkupit.

Shikoni gjithashtu

U shënua 44-vjetori i Pranverës së Dinjitetit dhe u ndan diplomat e magjistrantëve

Shkup, 11.03.2025 – Sot në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup …

Leave a Reply