Shkup, 15 maj 2024 – Dje në Tiranë, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia e tij z. Bajram Begaj, priti në kabinetin e tij drejtorin e Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve, Prof.dr. Skender Asani.
Në këtë takim, të ngrohtë dhe vëllazëror, u diskutuan tema nga fusha e historiografisë dhe kulturës. Me këtë rast drejtori Asani e njoftoi Presidentin Begaj me rrjedhën e punëve kërkimore, shkencore e botuese që ka zhvilluar ITSHKSH , duke theksuar objetkivin që ka ky Institut në avancimin e kulturës së perceptimit të tjetrit në një shoqëri shumetnike e shumëfetare dhe në thellimin e bashkëpunimit kulturor e shkencor në mes të tri qendrave tona albanologjike – Tirana, Shkupi e Prishtina. Rikthimi i Shkupit në dioptrinë socio-kulturore të botës shqiptare si një pikë referimi ku bashkohet e kaluara me të sotmen dhe të ardhmen, mbetet një prej prioriteteve bazike të ITSHKSH, nënvizoi Prof. Dr. Skender Asani.
Vet organizimi dhe profilimi i ITSHKSH në departamente përkatëse që ka pikësynim ndriçimin dhe dokumentimin e vlerave nga e kaluara dhe vendosjen e tyre në raport me të ardhmen, flet mjaft për misionin e këtij Instituti, tha drejtori Asani, duke veçuar me këtë rast fokusimin ndaj figurës së Gonxhe Bojaxhiut-Nënës Tereze, si një angazhim i vazhdueshëm në paraqitjen e kësaj figure në dritën e hulumtimeve të reja.
Mbrojtja dhe studimi i vlerave të trashëgimisë sonë kulturore e shpirtërore, nuk mund të bëhet pa një bashkëpunim të mirëfillt në mes të institucioneve shkencore e akademike nga Shkupi, Tirana dhe Prishtina. Prandaj, kjo ka qenë edhe arsyeja që ITSHKSH në bashkëpunim me qendrat albanologjike në Tiranë dhe në Prishtinë të bashkëorganizojnë një sërë veprimtarish me një kalendar të pasur ngjarjesh kulturore, shkencore e botuese.
Presidenti Begaj, nga ana e tij, u shpreh i entuziasmuar nga vëllimi i punëve dhe gama e veprimtarive që zhvillon ITSHKSH. Ai përgëzoi drejtorin Asani për këtë angazhim kaq dinamik, duke uruar që e ardhmja e këtij Instituti të jetë ngusht e lidhur me prospertitin e përgjithshëm të shoqërisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Ai gjithashtu kërkoi nga institucionet shtetërore të Maqedonisë së Veriut që të kenë një kujdes edhe më të shtuar ndaj nevojave e kërkesave të ITSHKSH.
Për të ilustruar vazhdimësinë dhe dinamikën e veprimtarisë botuese të Institutit, drejtori Asani i dhuroi disa tituj librash të veçant Presidentit Begaj, të botuar viteve të fundit e që shprehin tendencën e orientimit dhe planifikimit që ka ITSHKSH në fushën e botimeve dhe studimeve.
Në fund, drejtori Asani e ftoi Presidentin Begaj që të nderoj ITSHKSH-në me vizitën dhe praninë e tij me rastin e organizimit të ndonjë veprimtarie të rëndësishme shkencor e kulturore.