Shkup, 14 maj 2024 – Në kuadër të “Javës së Trashëgimisë Kulturore” sot ITShKSh organizoi konferencën shkencore me temë “Zejtaria dhe punimet artizanale në trevat shqiptare”, me ç’rast u mblodhën studiues etnologë, antropologë, folkloristë dhe dashamirës të etnokulturës nga rajoni dhe u shpalosën kumtesa mbi tema të ndryshme të fushës.
Në fjalën e tij përshëndetëse kryetari i Këshillit të ITShKSh-së, Sevdail Demiri, tha se kjo konferencë tashmë e disa vite po trajton tema shumë të rëndësishme nga trashëgimia jonë e pasur që kanë zgjuar interes të madh brenda komunitetit shkencor shqiptar dhe të huaj, duke përfshirë këtu dhe temën e sivjetshme që është zejtaria, kuptimi i së cilës duke se po humbet gjithnjë e më tepër, çka shton nevojën për studimin dhe valorizimin e saj.
Ndërkaq, udhëheqësi i departamentit të Etnologjisë, Historisë së Artit dhe Arkitekturës popullore në ITSHKSH Rini Useini, në cilësinë e udhëheqësit të konferencës, theksoi rolin e rëndësishëm të zejtarisë përgjatë historisë si dhe faktin se për të arritur tek objektet më të bukura që njohim sot në fushën e arteve të zbatuara popullore, është dashur përvoja shekullore, individuale e kolektive, aftësitë e shquara të shumë mjeshtërve të talentuar dhe kjo konferencë është një kontribut i vlefshëm në drejtim të vlerësimit të kësaj përpjekjeje.
Më tej, kumtesat e tyre i paraqitën studiuesit: Drita Halimi Statovci, Hiriet Ziberi, Zanita Halimi, Krenar Doli, Bestar Vula, Angjelina Hamza Hasanaj, Bekim Ramadani, Xhemaledin Salihu, Valon Shkodra, Besnik Rameti, Rini Useini, Neshat Mehmedi, Albnora Musa, Arlinda Veliu-Sadiku, Mustaf Haziri, Minir Ademi dhe Ardian Ramadani.
Me këtë rast u përurua vepra e fundit e etnologes së mirënjohur Drita Halimi-Statovci “Filigrani në Republikën e Kosovës”, një vepër me vlerë të lartë shkencore që hedh dritë mbi një ndër artizanalet më të lashta në trojet tona, për të cilën me detaje elaboroi recensenti i veprës, studiuesi Izaim Murtezani.
Të gjitha kumtesat e konferencës së sotme do të botohen në mënyrë të përmbledhur në edicionin e ri të revistës “Scupi” të botuar nga ITSHKSH.