Tiranë, 5 shtator 2018 – Me rastin e dyvjetorit të shenjtërimit të Gonxhe Bojaxhiut – Shën Tereza, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të shqiptarëve – Shkup dhe Muzeu Historik Kombëtar -Tiranë, organizuan promovimin e librit “Familjet katolike shqiptare në Shkup” të autorëve Skënder Asani, Albert Ramaj dhe Natasha Didenko, si edhe ekspozitën “Jeta përmes kujtimeve”.
Në promovimin e librit drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, u shpreh se: “Nëpërmjet botimit të librit “Familjet katolike shqiptare në Shkup” autorët duke përdorur fakte dhe burime të vërteta historike, synojnë të pasqyrojnë historinë e familjeve katolike shqiptare të Shkupit, të cilat gjithnjë e më tepër po mbulohen nga pluhuri i harresës. Historia e familjeve të shquara qytetare të Shkupit anjëherë nuk mund të tjetërsohet, asnjëherë nuk mund të asimilohet, sepse me kalimin e viteve do të lindin pinjollë të tjerë të shquar, të cilët do ta ngrenë edhe më lart emrin e fisit. Pikërisht ky është edhe misioni historik që ka ndërmarrë Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup. Të kultivojë traditat e bukura të trashëgimisë sonë kulturore jo vetëm tek shqiptarët që jetojnë në Shkup, por edhe më gjerë”.
Autori i librit “Familjet katolike shqiptare në Shkup” dhe i ekspozitës “Jeta përmes kujtimeve”, njëherit drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të shqiptarëve në Shkup, dr. Skënder Asani, tha se: “Shën Tereza është personaliteti që i ka kaluar të gjitha kufinjtë e vetmohimit duke i shërbyer të tjerëve, andaj ajo mund të quhet ‘Nëna e dashurisë’… E filluam këtë aktivitet në New York, pastaj në Prishtinë dhe stacioni i fundit i misionit tonë është Muzeu Historik Kombëtar, që përkon me dyvjetorin e shenjtërimit të saj. Si autor i librit deklaroj se me botimin kemi bërë shumë pak, Nënë Tereza nuk mund të bëhej nënë biologjike, por u bë nënë historike e gjithë botës. Ne sot mundemi që të jemi bijtë e saj. Jam tejet i gëzuar që vij në Muzeun Historik Kombëtar, por edhe si drejtor e si studiues, sepse Muzeu Historik Kombëtar përmbledh gjithë trashëgiminë tonë kulturore”, theksoi Asani, i cili në këto aktivitete ishte i shoqëruar nga kryetari i Këshillit të Institutit, dr. Sevdail Demiri.
Ekspozita “Jeta përmes kujtimeve” flet për familjet katolike në Shkup, të cilat përmbajnë fotografi, dëshmi e dokumente, shumica e të cilave për herë të parë janë shfaqur në publik.