ITSHKSH, marrëveshje bashkëpunimi me Muzeun Historik Kombëtar

Tiranë, 4 shtator 2018- Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni, sot nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Muzeun Historik Kombëtar të Shqipërisë, me të cilën parashihen një sërë aktivitetesh të përbashkëta.

Marrëveshja u nënshkrua në Tiranë nga drejtori i Institutit, dr.Skender Asani dhe drejtori i Muzeut, dr. Dorian Koçi, në vigjilje të hapjes së ekspozitës së përbashkët me rastin e dyvjetorit të shenjtërimit të Nënë Terezës.
Drejtori i Institutit, Skender Asani, tha se kjo marrëveshje po konkretizohet me ekspozitën dokumentare për familjet katolike shqiptare në Shkup “Jeta përmes kujtimeve”, si dhe me librin me të njejtën përmbajtje. Në kalendarin e aktiviteteve të përbashkëta janë edhe projekte tjera që kanë për qëllim ndriçimin dhe promovimin e personaliteteve dhe ngjarjeve të rëndësishme nga historia e popullit shqiptar, tha Asani.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, nënvizoi nevojën e bashkëpunimit të ndërsjelltë në mes dy institucioneve shtetërore, të cilat kanë shumë gjëra të përbashkëta që do të shtjellojnë sëbashku. Ai sqaroi se me këtë memorandum parashihet realizimi i botimeve, konferencave shkencore, ekspozitave, aktiviteteve e projekteve të përbashkëta, të cilat do t’i shërbejnë shkëmbimit të eksperiencave të ndërsjella ndërmjet dy institucioneve.
Nesër, më 5 shtator 2018, prej ora 11:00, në sallën UNESKO të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, do të hapet ekspozita dokumentare “Jeta përmes kujtimeve”, si dhe do të promovohet libri “Familjet katolike shqiptare në Shkup”.

Shikoni gjithashtu

AKADEMI SOLEMNE NË ITSHKSH, NË SHENJË TË RUAJTJES DHE ZHVILLIMIT TË ABC-së SHQIPE

“Sot, kur po kremtojmë një festë të dyfishtë – 116 vjetorin e Kongresit të Manastirit …