Ministri Ismaili, në promovimin e veprës mbi Kolë Bojaxhiun

Shkup, 5.9.2019 – Sot në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, qëndroi ministri i Kulturës i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hysni Ismaili, i cili u prit nga drejtori i këtij instituti, Skender Asani.

Ministri Ismaili dhe drejtori Asani biseduan për zhvillimin e projekteve të Institutit, të cilat janë mbështetur nga Ministria e Kulturës, me ç’rast ministri i Kulturës u zotua se Ministria e Kulturës do të vazhdojë ta mbështesë Institutin në projektet kulturore dhe, veçmas, në mbrojtjen e trashëgimisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Edhe drejtori Asani, nga ana e tij, e falënderoi Ministrin për vizitën dhe shprehu kënaqësinë e tij për mbështetjen e Institutit dhe shfaqi bindjen se u bashkëpunimi do të rrjedhë edhe në të ardhmen. Ai e njoftoi ministrin me projektet e realizuara, me sfidat me të cilat përballet Instituti dhe me synimet që i ka ky institut në planin shkencor dhe kulturor.

Gjatë këtij vizite ministri mori pjesë edhe në promovimin e një vepre mbi Kolë Bojaxhiun, që po ashtu është mbështetur nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Libri me titull “Kolë Bojaxhiu – atdhetari shkupjan (konferencë shkencore me rastin e 100-vjetorit të vdekjes)”, është botim i përbashkët me Shtëpinë Përkujtimore Nëna Terezë.

Gjatë promovimit, përpos ministrit, fjalë rasti patën edhe drejtorët e dy institucioneve Skender Asani e Arian Asllanaj, koordinatorja Nora Maliqi, përfaqësuesi i familjeve katolike shqiptare në Shkup Anton Serreqi, dhe përfaqësuesi i ambasadës së Kosovës në Shkup Agim Krasniqi.

Shikoni gjithashtu

Shefi i zyrës politike të Ambasadës Amerikane Dejvid Majers vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me ITSHKSH-në

Shkup, 6 mars 2025 – Në kuadër të bashkëpunimit shumëvjeçar midis ITSHKSH-së dhe ambasadës së …