Tiranë, 5.9.2019 – Me rastin e 22 vjetorit të ndarjes nga jeta të Nënës Terezë, duke përkuar dhe me 5 shtatorin, Ditën e Shenjtërimit të saj, në Kalanë e Tiranës u hap ekspozita: “Zemër Shqiptare – Shën Tereza na bashkon”.
Ky projekt erdhi në bashkëpunim mes Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë dhe Kalasë së Tiranës. Në ekspozitë u shpalosën dokumente dhe fotografi nga aspekte interesante të jetës dhe veprës së Shën Terezës.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm nënkryetari i Bashkisë së Tiranës – Andi Seferi, ambasadori i Kosovës në Shqipëri – Sylë Ukshini, përgjegjësja e Promovimit dhe Komunikimit në DPA – Elsa Saka, administratorja e Kalasë së Tiranës – Klodjana Toptani, përfaqësuesi i Kishës Ortodokse – Arkimandrit Kozma Prifti, etj.
“Shenjt Terezën të gjithë shqiptarët e kanë në zemër dhe në mendje dhe këtë ditë e kremtojnë me shumë krenari. Sot hapim këtë ekspozitë të kuruar me shumë dashuri dhe shumë kujdes nga shqiptarët e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë për të parë se sa e thjeshtë ishte kjo grua, por me një dashuri të madhe që bëri që gjitha bota ta ndiej”, tha veç tjerash nënkryetari i Bashkisë së Tiranës – Andi Seferi.
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu e njohur si Nënë Tereza lindi në Shkup më 26 gusht të vitit 1910 dhe vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkuta të Indisë. Ajo ishte humniste dhe fituese e çmimit Nobel për Paqen, ndërsa tre vite më parë kreu i Vatikanit, Papa Françesku, e shpalli Nënë Terezën të shenjtë.