ITShKSh prezantoi projektin “Zhvillimet kulturore-historike te shqiptarët në Maqedoni gjatë shekujve XIX – XX”

Shkup, 31.10.2023 – Sot Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup bëri prezantimin e punës dyvjeçare hulumtuese-shkencore në kuadër të projektit me temë “Zhvillimet kulturore – historike te shqiptarët në Maqedoni gjatë shekujve XIX – XX”, të mbështetur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ky projekt hulumtues dhe botues, është fryt i punës së palodhshme të hulumtuesve shkencorë të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, të përbërë nga drejtuesi i projektit historiani Dr. Skender Asani – këshilltar shkencor, dhe ekipi bashkë-hulumtues në projekt: Dr. Sevdail Demiri – këshilltar shkencor, Dr. Besnik Rameti – bashkëpunëtor shkencor, si dhe asistentët hulumtues Emin Azemi dhe Sali Islami.

Në përurimin  e projektit në fjalë mori pjesë ministri i Arsimit dhe Shkencës, Dr. Jeton Shaqiri, i cili theksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme ndaj zhvillimit të shkencës përmes dokumentimit të së kaluarës sonë historike në këto troje.

Drejtori i Institutit dhe drejtues i projektit, Dr. Skender Asani, tha se ky projekt paraqet një përpjekje serioze, që për herë të parë t’i ofrohet opinionit shkencor një pasqyrë e re dhe objektive për zhvillimet kulturore-historike të shqiptarëve që jetojnë në territorin e sotëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Pa dyshim që kjo punë është konkretizuar përmes hulumtimeve të shumë arkivave shkencore, jo vetëm se në vendin tonë, por edhe në Tiranë e Prishtinë, e posaçërisht në Zagreb të Kroacisë, ku është gjetur një thesar shumë  pasur arkivor dhe dokumentar për shqiptarët, sidomos gjatë shekullit XX, u shpreh Asani.

Fryt i punës dyvjeçare të këtij projekti hulumtues shkencor janë edhe disa botime që janë bërë deri më tani në kuadër të Institutit, por në mënyrë specifike, për këtë temë flet botimi i veçantë “Zhvillimet kulturore – historike te shqiptarët në Maqedoni gjatë shekujve XIX – XX”. Në cilësinë e autorëve janë pesë hulumtuesit shkencor të projektit në fjalë, të cilët janë marrë me tema të caktuara, varësisht nga profili i tyre profesional-shkencor. Këshilltari shkencor Dr. Sevdail Demiri, tha se vepra e botuar në 500 faqe me titullin e projektit, paraqet një platformë të etabluar shkencore për shkrimin e historisë së shqiptarëve të këtyre trevave, për periudhën e vrullshme të shekujve XIX – XX.

Në këtë tubim shkencor, përpos studiuesve dhe mysafirëve të shumtë, prezantuan edhe përfaqësuesit e lartë të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Elvana Hasanoviq – udhëheqëse e sektorit të Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik dhe Ahmed Qazimi – udhëheqës i sektorit të Arsimit të Lartë.

Shikoni gjithashtu

AKADEMI SOLEMNE NË ITSHKSH, NË SHENJË TË RUAJTJES DHE ZHVILLIMIT TË ABC-së SHQIPE

“Sot, kur po kremtojmë një festë të dyfishtë – 116 vjetorin e Kongresit të Manastirit …