ITSHKSH NËNSHKROI MARRËVESHJE BASHKËPUNIMI ME UNIVERSITETIN E EVROPËS JUGLINDORE

 Shkup, 29 janar 2024 – Në takimin e sotëm në mes Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve dhe Universitetit të Evropës Juglindore u nënshkrua marrëveshje bashkëpunimi, me qëllim të ngritjes dhe zhvillimit të ndërsjellë të sferës akademike, arsimore dhe shkencore. Marrëveshja u nënshkrua nga drejtori i Institutit, dr. Skender Asani dhe rektori i UEJL-së, akademik Abdylmenaf Bexheti.

Kjo marrëveshje do të bëjë të mundur aktivitete të tilla si publikime të përbashkëta dhe kërkime shkencore, shkëmbim të studentëve në periudha studimi apo praktika, organizim të programeve të veçanta akademike si seminare, konferenca shkencore dhe shkolla verore. Veç kësaj, i një rëndësie të veçantë është dhe vendimi për organizimin e përbashkët të programeve të caktuara studimore të shkallës së dytë dhe të tretë.

Gjithashtu, me këtë rast drejtori Asani bëri një prezantim gjithëpërfshirës të punës së Institutit, ndërsa rektori Bexheti shprehu gatishmërinë për të qëndruar si partner i fuqishëm në mënyrë që të mund të hapet një dritare, jo vetëm për brezat e studentëve të shkencave shoqërore, por edhe për rritjen e cilësisë së punës akademike që vjen rrjedhimisht nga ndërthurja e përvojës së pasur të dy institucioneve shkencore.

Në këtë takim, rektorin Bexheti e shoqëroi prorektorja Besa Arifi, ndërsa drejtorin e ITSHKSH-së Asani, e shoqëroi stafi shkencor i përbërë nga studiuesit Hidajete Azizi, Sefer Tahiri, Valdeta Kasapi, Zeqirija Ibrahimi, Sevdail Demiri dhe Besnik Rameti.

 

Shikoni gjithashtu

NËNA TEREZE U ANGAZHUA QË NJERIU TË MOS I NGJAJË NJË SKELETI TË ZHVESHUR NGA NDJESIA NJERËZORE

Sipas Nënës Tereze natyra njerëzore ka nevojë më tepër për anën shpirtërore sa sa materiale …