Nga Prof. Dr. Skender ASANI
Libri që po promovojmë sot në Kërçovë është lidhja më e natyrshme dhe e pashkëputur e intelektualit dhe veprimtarit Sali Ramadani me njerëzit e vendlindjes. Dhe kjo po ndodh pikërisht sot kur për herë të parë po ia parqesim publikut një vepër të rrallë për nga përmbajtja dhe të veçantë për nga idetë.
Libri monografik me titull “SALI RAMADANI-KËRÇOVA – SHQIPTARI I PATHYESHËM” i autorit Shaban Dalipi është një sintezë të dhënash e dëshmish mbi një personalitet sa unik, aq edhe kompleks për nga natyra dhe energjia vepruese në rrethana e kohë të ndryshme. Sali Ramadani- Kërçova vjen në këtë libër i skalitur me vijat e një portreti, që për një pjesë të madhe të publikut, nuk ishte i panjohur, por jo i studiuar sa duhet, ashtu siç e meritonte, sepse ai ishte mjaft ndikues në rrjedhën e ngjarjeve, në të cilat ai kishte qenë ose inicues, ose inspirues, ose të dyja bashkë.
Autori ka ndjekur hap pas hapi ecjen e Sali Ramadanit në kohë e hapësirë, duke filluar nga rinia e hershme e tij e deri në momentet e fundit të jetës. Në këtë ecejake të gjatë, lexuesi arrin të shoh si në një shirit filmi zhvillimin dhe formimin e një personaliteti, i cili gjatë rrugëtimit jetësor u ndesh në sfida e probleme që ishin rrjedhojë e angazhimit të tij, jotipik për kohën dhe aspak në përputhje me normat shoqërore e politike. Sali Ramadani nuk do të ishte ky që njihet botërisht, nëse do të vepronte ndryshe. Ai nuk do të ishte ky që e shohim të portretizuar në këtë libër, nëse jetën e tij nuk do ta mbushte me veprimtari që lanë gjurmë përtej kohës dhe hapësirës ku ai veproi.
Një personalitet mund të kontribuojë shumë për rrethin dhe vendlindjen e tij, por jehona e këtij angazhimi ndodh të mos shkojë përtej hapësirës ku vepron ai.
Në rastin e Sali Ramadanit ka ndodhur krejt ndryshe. Ndonëse angazhimi tij fillestar në arsim, kulturë e politikë kishin karakter lokal, megjithatë përmasat e atij angazhimi preknin sferat më të larta të ndikimit publik në një rrafsh më të gjerë. Prandaj, lexuesi që arrin të ndjekë dinamikën e ngjarjeve të këtij libri, njëkohësisht bëhet edhe dëshmitar i vëzhgimeve që dalin nga prapaskenat e atyre ngjarjeve, që shënonin kronikën e gjatë të një shoqërie me plot kontraste, të cilat dalin në shesh falë këmbënguljes së Sali Ramadanit për t’i paraqitur ato kontraste në dioptrinë dhe kontekstin e statusit të shqiptarëve në ish Jugosllavi në përgjithësi dhe në Maqedoni, në veçanti. Me fjalë të tjera, materia që prezantohet në këtë libër monografik përbën edhe një kapitull të rëndësishëm të historisë politike të shqiptarëve në Maqedoni dhe si e tillë kjo materie mund t’iu shërbejë studiuesve të ndryshëm që të thellojnë njohuritë e tyre shkencore mbi proceset politike nëpër të cilat kaluan shqiptarët pas Luftës së Dytë Botërore. Por e gjithë kjo kronologji ngjarjesh pati një protagonist të fuqishëm që nuk u tundua as nga joshjet e pushtetit, dhe nuk u thye as nga vuajtjet dhe maltretimet e shumta që ushtronte aparati i atëhershëm represiv jugosllav-maqedonas. Rrjedhimisht, ky qëndrim stoik i S. Ramadanit nuk kishte mbetur pa pasoja, sepse protagonisti i këtij libri monografik qysh në rini kishte përjetuar në lëkurën e tij ndjekjet policore, burgosjet, arratisjet, si dhe proceset e shumta gjyqësore.
Për ta bërë sa më të kompletuar në pikëpamje përmbajtësore dhe kuptimore librin e tij, autori ka përdorur metoda të shumta hulumtimi, duke i kryqëzuar të dhënat dhe faktet përmes burimeve të shkruara e gojore, dokumentet arkivore, dosjen e shërbimit sekret shtetëror, proçesverbalet e seancave gjyqësore, stenogramet e parlamentit gjatë mandatit të deputetit (1994-1998), xhirimet nga fushatat zgjedhore dhe emisionet e shumta audio-vizive, përfshi edhe shënimet e ditarit të tij personal “Unë shqiptar i pathyeshëm”, kombinuar ato edhe me evokime të bashkëkohanikëve dhe bashkëveprimtarëve të Sali Ramadanit, të cilët sjellin detaje të çmuara nga njohja që kanë pasur me të, pa lënë anash përshkrimin e karakterit të tij me ngjyrat e një personaliteti serioz, këmbënglulës, guximtar, vizionar…
Nëse ndjekim me vëmendje linjën e gradacionit jetëshkrimor të Sali Ramadanit, siç rezulton edhe nga ky libër monografik, ai i kishte katër faza kohore të angazhimit atdhetar:
– vitet pesëdhjetë dhe gjashtëdhjetë si kërkues i pasionuar i hapësirave të munguara të lirisë së shqiptarëve (në vitet e 60-ta e kishte themeluar organizatën ilegale “Besëlidhja për Çlirimin dhe Bashkimin Kombëtar”) në aspektin e ngritjes politike arsimore e kulturore të tyre, për çka edhe përjetoi pasojat e një pushteti brutal (më 14 mars të vitit 1969, u arrestua duke i pamundësuar zgjedhjen për deputet) që u manifestuan edhe gjatë 15 seancave gjyqësore, të zhvilluara brenda harkut kohor 1969-1973.
-vitet shtatëdhjetë-tetëdhjetë: largimi nga vendlindja dhe zgjerimi i aktivitetit ilegal në Kosovë dhe në diasporë që si rrjedhojë solli ngjarjet dramatike të vitit 1981 me demonstrata masovike të rinisë studentore në Kosovë
-vitet nënëdhjetë-dymijë: rikthimi në vendlindje, përfshirja në jetën publike politike, duke u zgjedhur deputet i popullit, brenda një mandati me dy veprime historike – diskutimi për herë të parë në gjuhën shqipe (8.02.1995) në Parlamentin e Maqedonisë dhe shpalosja e flamurit kombëtar (2 korrik të vitit 1997 ) në foltoren e këtij Parlamenti.
E veçanta e këtij libri monografik është se autori, krahas portretizimit sa më besnik të figurës së Sali Ramadanit, ka sjellur edhe një vështrim panoramik të historisë së krahinës prej nga vjen ai, Uskana, duke ofruar të dhëna të vlefshme që nga kohërat e lashta p.e sonë, por edhe të historisë së trungut të tij familjar. Gjithsesi këtu nuk mungojnë të gjitha “stacionet” jetësore nëpër të cilat kishte kaluar S. Ramadani, që nga lindja (7 mars 1939 në fshatin Greshnicë të Kërçovës) e deri në vdekje (27 janar 2018 në Prishtinë).
Në librin monografik “SALI RAMADANI-KËRÇOVA – SHQIPTARI I PATHYESHËM” elementet biografike të këtij personaliteti, sipas qasjes së autorit, nuk kanë pasur thjesht karakter të mbajtjes së evidences administrative, por përtej kësaj, ato kanë qenë të integruara në atmosferën shoqërore, politike, arsimore, kulturore, ku Sali Ramadani kishte dhënë kontribut të pashoq në dizajnimin e asaj atmosfere. Ai, pra, nuk ishte një vëzhgues pasiv i proceseve, por pjesëmarrës direkt në to, qoftë si nismëtar dhe kontribues për shkollimin e të rinjve, sidomos të vajzave nga vendlindja e tij, qoftë si themelues i shoqatave kulturore-artstike, që nga vendlindja e tij e deri në Zagreb e Beograd.
Me këtë libër monografik, jo vetëm autori por të gjithë ata që e njohën dhe bashkëpunuan me Sali Ramadanin, po arrijnë të vendosin një urë komunkimi me gjenaratat e ardhshme në mënyrë që kjo figurë e shquar të njihet dhe të nderohet edhe më tepër.
Kërçovë, 29 janar 2024