ITShKSh dhe Ambasada e Kosovës shënuan 25-vjetorin e intervenimit të NATO-s

Shkup, 25 mars – Në bashkëpunim me ITShKSh-në, sot Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup, përmes një konference shënoi 25-vjetorin e intervenimit të NATO-s në Kosovë. Pjesë e panelit ishin ambasadori Florian Qehaja, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverië e Republikës së Kosovës – Liza Gashi, gazetarja Diana Toska dhe drejtori i ITShKSh-së Skender Asani.

Në hapje të ngjarjes ku u përkujtuan disa nga kontributet kryesore historike, ambasadori Qehaja e cilësoi interventimin e NATO-s si aksionin më të suksesshmin ushtarak për qëllime humanitare, i cili ndaloi gjenocidin e një popullate dhe vulosi trajektoren e paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Ndërkaq, zëvendësministrja Gashi theksoi rëndësinë e kësaj ngjarje, duke marrë parasysh faktin se jetojmë në një kohë kur reflektimi mbi të kaluarën shpesh bëhet në formë propaganduese.

Ngjarjen e pasuruan edhe disa rrëfime nga përjetimet e gazetares Toska të cilat ajo i kishte shkruar në ditarin e saj gjatë kohës së luftës.

Në fjalimin e tij, drejtori Asani, përveç retrospektivës historike theksoi se intervenimi i NATO-s përbën dhe një hap të guximshëm drejt proceseve integruese euroatlantike. “Ndërhyrja e NATO-s riktheu kredibilitetin e humbur të Evropës gjatë luftërave ne ish-Jugosllavi, për arsye se për herë të parë po vendosej në praktikë koncepti i presidentit amerikan Vilson, që iu jepte të drejta sovraniste edhe popujve të vegjël të Ballkanit”, u shpreh ai.

Intervenimi i NATO-s në vitin 1999 kundër Serbisë për të ndalur pastrimin etnik dhe politikën gjenocidale të regjimit të Millosheviqit në Kosovë ishte vendimtar për sjelljen e paqes, sigurisë dhe prosperitetit të qëndrueshëm në rajon. Në këtë periudhë Maqedonia pati një rol kyç në sigurimin e strehimit për mijëra refugjatë shqiptarë të Kosovës, të cilët u dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre.

 

 

Shikoni gjithashtu

Drejtori i ITSHKSH Asani u prit nga kryetarja e Komisionit parlamentar për Arsim, Vasilevska

Bashkëpunimi ynë si ITSHKSH me Parlamentin e Maqedonisë së Veriut ka qenë pjesë e frymës …