ITShKSh dhe Lëvizja shënuan 50-vjetorin e gazetës “Zëri i Kosovës”

Shkup, 4 prill 2024 – Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore i Shqiptarëve në Shkup dhe Shorëqia Lëvizja sot me një akademi shënuan 50-vjetorin e themelimit të gazetës së parë kombëtare shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore nga krahinat shqiptare nën ish-Jugosllavi – “Zëri i Kosovës”. Kjo gazetë ishte një organ vendimtar i Lëvizjes çlirimtare të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nën Jugosllavi, që filloi botimin në vitin 1974.

Në hapje të ngjarjes moderatori Bekim Adili e cilësoi gazetën “Zëri i Kosovës” si katalizator që mbajti gjallë idealet gjatë kohës që veprimtarët tanë kanë vuajtur dënime të rënda me burg, duke shërbyer si një fener që orientonte popullin shqiptar në periudhat e errëta te regjismit jugosllav.

Ndërkaq, drejtori i ITShKSh-së, Skender Asani, tha se “Zëri i Kosovës” ishte ushqimi që ngriti gjeneratat e demonstratave të viteve ‘80-ta, të cilat mundësuan që populli të fitojë besim dhe të orientohet në mënyrë të drejtë dhe progreive që përfundimisht të çlirohet nga Jugosllavia. Gazeta “Zëri i Kosovës” që ndodhej në duart e çdo studenti dhe atdhetari, në vitet e mëvonshme luajti rol të madh në forcimin dhe konsolidimin e luftës çlirimtare të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare.

Kryetari i degës së Shoqatës “Lëvizja” për Maqedoninë e Veriut, Ulusi Beqiri, në fjalimin e tij vlerësoi se “Zëri i Kosovës” ishte gazetë që tronditi Jugosllavinë, duke pasqyruar shpirtin luftarak të popullit shqiptar.

Me këtë rast gjithashtu mori fjalën dhe Binak Ulaj, themeluesi i g rupit revolucionar dhe përgjegjësi i grupit për informim i “Zërit të Kosovës” dhe pesë herë i burgosur politikisht. Ndërsa foli edhe Ismet Jonuzi-Krosi, ish-gazetar dhe përgjegjës i Institutit “Josif Bageri” të Universitetit të Tetovës.

Në ngjarje u transmetua dhe një video mesazh nga ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Kroaci, Milaim Fetau, i cili theksoi nevojën që ngjarje të tilla përkujtimore dhe hulumtimet që ITShKSh bën në arkivat e rajonit, konkretisht atë të Kroacisë, për të parandaluar të pavërtetat që u vishen veprimtarëve kombëtarë, të shërbejë për vetëdijësimin e gjeneratave të reja.

Në mbyllje të akademisë, iu dorëzuar dosja e burgut veprimtarit dhe ish – të burgosurit politik Bejtulla Ademi, e cila vjen si rezutat i hulumtimeve të ITShKSh-së në Arkivin e Kroacisë. ITShKSh deri më sot ka përgatitur disa dosje të tilla, si dosja e burgut të Adem Demaçit, Tahir Hanit, Sadudin Gjurës dhe Femi Lladrovcit, dhe do të vazhdojë të nxjerrë dosjet e të gjithë veprimtarëve në burgjet e Stara Gradishkës dhe Goli Otokut.

 

   

Shikoni gjithashtu

ITSHKSH ORGANIZON KONFERENCËN SHKENCORE “ZEJTARIA DHE PUNIMET ARTIZANALE NË TREVAT SHQIPTARE”

 INSTITUTI I TRASHËGIMISË SHPIRTËRORE E KULTURORE TË SHQIPTARËVE – SHKUP   organizon konferencën shkencore vjetore “Java …