Preshevarët mirëpresin botimin e ITSHKSH-së për shqiptarësinë e Luginës

Preshevë, 5.10.2019 – Në sallën e mbushur përplot me dashamirë të librit dhe kulturës shqiptare, në Bibliotekën komunale të Preshevës, sot Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, e promovoi librin “Shqiptarësia e Luginës së Preshevës ndër shekuj”, të autorit dr.Ilir Zylfiu.

Me këtë rast, drejtori i Institutit, dr. Skender Asani, tha se duke e botuar këtë libër pikërisht në këto momente kyçe për fatin e trevës së Preshevës, dëshirojmë që jo vetëm të kontribuojmë në zhvillimin e mendimit shkencor në hapësirat tona, por edhe të përcjellin mesazhe se shqiptarët e Luginës së Preshevës janë hallkë shumë e rëndësishme e qenësisë sonë kombëtare, të cilët meritojnë më shumë vëmendje nga të gjithë.

Ndërsa, recensenti i librit dr. Sevdail Demiri, tha se e vënë nën thjerrëzën e studiuesit dr. Ilir Zylfiu, shqiptarësia e trevës së gjerë të Preshevës, me këtë libër merr dimension të ri historiko – politik. Ajo jo vetëm që shkruhet objektivisht, pa romantizma e hiperbolizime të panevojshme, por edhe jep kahe dhe vizione të qëndrueshme për zgjidhje të drejta të çështjes së saj në të ardhmen. Në këtë aspekt, autori me të drejtë konstaton se zgjidhja e duhur është bashkimi i Luginës së Preshevës me Republikën e Kosovës, gjë që ia kthen perspektivën shqiptarëve në këto vise. Pra, e ardhmja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duhet parë ekskluzivisht brenda arealit gjeopolitik shqiptar, aty ku gjithmonë është ndjerë me mendje e zemër shqiptari i kësaj ane, pavarësisht ndarjeve administrative e politike nëpër kohë, u shpreh Demiri.

Rreth qasjes shkencore dhe historike të këtij libri, folën recensenti dr. Ardian Emini, redaktori gjuhësor dr.Ferid Selimi, dhe të tjerë, të cilët theksuan rëndësinë e këtij libri, veçanërisht në momentin aktual historik në të cilën ndodhen shqiptarët e Luginës së Preshevës. Nga moderatorja u lexua edhe një pjesë e recensionit të dr.Ramiz Abdyli, ku thuhej se përmes burimeve dhe literaturës të shumtë historiografike, libri mëton të jep përgjigje shkencore për autoktoninë dhe qëndresën e shqiptarëve të Luginës, përkrah atdhetarëve të Kosovës ndër shekuj, në themel të cilës u flijuan mijëra atdhetarë deri në vitin 2000.

Në fund autori dr.Ilir Zylfiu falënderoi Institutin si botues dhe të gjithë kontribuuesit që ky libër të sheh dritën e botimit në formën më të mirë të mundshme. Libri në fjalë, në gjithsej 426 faqe të formatit B5, është mbarështruar përmes një lënde të pasur arkivore, kryesisht me dokumente nga arkivat shqiptare, serbe e maqedonase, burime të botuara si, dhe një literature të pasur profesionale historiografike. Gjithashtu autori ka përdorur si burime edhe shtypin shqiptar e të huaj, burime interneti si dhe intervista me dëshmitarë të ngjarjeve.

Para promovimit të librit, drejtori i Institutit, dr.Skender Asani dhe përgjegjësi i  botimeve dr.Sevdail Demiri, bibliotekës komunale “Mehmet Jusufi” të Preshevës, i dhuruan mbi 30 libra, të cilat u pranuan me dashamirësi të madhe nga ana e drejtorit të kësaj biblioteke, Reshat Neziri.

Shikoni gjithashtu

AKADEMI SOLEMNE NË ITSHKSH, NË SHENJË TË RUAJTJES DHE ZHVILLIMIT TË ABC-së SHQIPE

“Sot, kur po kremtojmë një festë të dyfishtë – 116 vjetorin e Kongresit të Manastirit …