ITSHKSH ndër katër institucionet që nënshkruajnë marrëveshje në Zvicër

Sot në Lucern të Zvicrës është nënshkruar memorandum bashkë-punimi ndërmjet Institutit të
Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, të përfaqësuar nga drejtori, dr.Skender Asani, Arkivit Shtetëror të Kantonit të Lucernit – të përfaqësuar nga drejtori, dr.Jürg Schmutz, Shtëpisë Përkujtimore të Nënës Terezë – Shkup, të përfaqësuar nga drejtori, Arjan Asllanaj, dhe Institutit Shqiptar në St. Gallen në Zvicër – të përfaqësuar nga drejtori, dr. Albert Ramaj.
Me këtë protokoll bashkëpunimi do të mundësohet që me mijëra dokumente, që kanë të bëjnë me jetën dhe veprimtarinë e Nënës Terezë, të merren edhe nga Departamenti i Hulumtimit të
Trashëgimisë së Nënës Terezë, që sapo është themeluar nga ITSHKSH.
Po ashtu Arkivi i Lucernit – përmes këtij memorandumi – ia ka dhuruar Shtëpisë
Përkujtimore të Nënës edhe disa dokumente origjinale, të shkruara nga dora e Nënës Terezë, që do të qëndrojnë si pronë e përhershme e shtëpisë muze në Shkup.
Po theksojmë se ky arkiv është ndër më të pasurit në Europë, ndërsa mund të jetë i vetmi që ka tubuar aq shumë fakte që kanë të bëjnë me Nënën Terezë. Andaj nënshkrimi i këtij memorandumi hap një faqe të re në njohjen e saj dhe një mundësi të madhe që të njihen detaje që opinioni shkencor shqiptar do t’i lexojë për herë të parë.

Shikoni gjithashtu

QASJA INSTITUCIONALE DHE SHKENCORE NDAJ FIGURËS SË NËNËS TEREZE

Nga Prof. dr. Skender ASANI Në historinë moderne, Shën Nëna Tereze përfaqëson figurën më emblematike …