Shkup, 03.09.2025 – Në përkujtim të ditës së shenjtërimit të Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës, simbol i humanizmit dhe përkushtimit ndaj të tjerëve, Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup në bashkëorganizim me Institutin për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve, organizoi panel diskutimin me temë: “NËNË TEREZA NGA SHKUPI NË ALTARIN E SHENJTËRISË”.
Në hapje të këtij aktiviteti solemn, të pranishmëve iu drejtuan me përshëndetje rektori i UNT-së, Prof. Dr. Bekim Fetaji, dhe u.d. drejtori i ITSHKSH-së, Dr. Besnik Emini, të cilët theksuan rëndësinë e trashëgimisë humane dhe shpirtërore të Shenjtores së Kalkutës, si dhe përgjegjësinë institucionale për kultivimin e vlerave të saj në mjedisin akademik e shoqëror.
Në rolin e panelistëve morën pjesë: Prof. Inor. Dr. Fati Iseni nga UNT, i cili njëkohësisht moderoi diskutimin, Dr. Valdeta Kasapi nga ITSHKSH, dhe At Vinko Maslać nga Kisha Katolike e Shkupit.
Diskutimet sollën në vëmendje dimensionet historike, shpirtërore dhe universale të veprës së Nënë Terezës, duke theksuar misionin e saj të jashtëzakonshëm jetësor, i cili vazhdon të frymëzojë breza të tërë në mbarë botën.
Hulumtuesja shkencore e Institutit Dr. Valdeta Kasapi bëri një retrospektivë të pasqyrimit në mediet shqiptare të figurës së Nënë Terezës si dhe vëmendjen e munguar të medieve në gjuhën shqipe nga vendlindja e saj Shkupi gjatë ceremonisë së shenjtërimit të saj në Vatikan.
UNT dhe ITSHKSH konfirmojnë përkushtimin e tyre të përbashkët për të promovuar figura të ndritura të trashëgimisë sonë kulturore e shpirtërore dhe për të krijuar hapësira të vazhdueshme reflektimi akademik.