
Tetovë, 7.5.2018 – Sot në amfiteatrin e shkollës së mesme komunale “7 Marsi” në Tetovë, i zhvilloi punimet konferenca shkencore me temë “Festat e kalendarit popullor – Dita e Shën Gjergjit”, organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, në bashkëpunim me Komunën e Tetovës.
Fjalë përshëndetëse në këtë aktivitet patën drejtori i Institutit, Skender Asani dhe përfaqësuesi i Komunës së Tetovës, Ahmet Qazimi, të cilët theksuan rëndësinë e kësaj feste të lashtë ndër shqiptarët.
Konferenca u drejtuar nga Sefer Tahiri, Bardhyl Zaimi dhe Sevdail Demiri, ndërsa studiuesit që vinin nga qendra të ndryshme universitare në vend, plotësuan koloritin shumështresor të kësaj dite.
Kështu, Vebi Bexheti referoi në temën “Dita e Shën Gjergjit, festë pagane e qytetërimit të lashtë shqiptar”, Bukurie Mustafa: “Riti dhe fusha kuptimore e fjalës Shëngjergj”, Hamit Xhaferi “Festa e Shën Gjergjit në trevën e Kërçovës”, Emine Shabani: “Simbolika e heroit kulçedrës dhe zanës te figura e Shën Gjergjit”, Izaim Murtezani: “Kah hermenutika e dasmës së improvizuar të Shëngjergjit në fshatin Reçan të Gosivarit”, Nebi Dervishi: “Ritet e Shën Gjergjit në trevën e Strugës”, Mustafa Ibrahimi: “Rituale dhe ceremoni gjatë festës së Shën Gjergjit (Shiniergjit) në rajonin e Pellagonisë”, Hamdi Mediu: “Festa e Shën Gjergjit në rajonin e Tetovës”, Kosovare Krasniqi: “Ritualet dhe ceremonitë e festës së Shëngjergjit (Shingjergjit) në rajonin e Anamoravës”, dhe Rini Useini: “Shën Gjergji- identitet brezash, aktualiteti ne fshatin Koroshisht”.
Të gjitha punimet e kësaj konference do të botohen në një nga numrat e radhës së revistës “Scupi”.
Projekti është mbështetur nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë.


ITSH Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup