Në konferencën shkencore me temë “Pavarësia e Shqipërisë dhe Kosova, 100 vjet pas”, morën pjesë drejtori i Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve-Shkup, Dr. Shefqet Zekolli, i cili ishte pjesë e këshillit organizues, dhe punonjësit shkencorë të institutit: Mr. Skender Asani dhe Dr. Sefer Tahiri
Prishtinë – Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe Instituti i Historisë Prishtinë, në vazhdën e aktiviteteve për shënimin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë organizoi Konferencën Shkencore me temë “Pavarësia e Shqipërisë dhe Kosova, 100 vjet pas”. Konferenca i zhvilloi punimet më 13 dhe 14 shtator në lokalet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës në Prishtinë.
Në këtë konferencë shkencore morën pjesë drejtori i Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve-Shkup, Shefqet Zekolli, i cili ishte pjesë e këshillit organizues, dhe punonjësit shkencorë të institutit: Mr. Skender Asani dhe Dr. Sefer Tahiri.
Mr. Skender Asani u prezantua me punimin shkencor në temën: “Propozimi i Bertholdit për çështjen shqiptare sipas shtypit bullgar”. Në këtë punim studiuesi Asani, i cili është kryetar i Shoqatës së Historianëve Shqiptarë në Maqedoni, theksoi se: “Me fillimin e përleshjeve të armatosura në pjesën e parë të vitit 1912 në Vilajetin e Kosovës, ndërmjet kryengritësve shqiptarë dhe forcave osmane, në skenë përkrah shqiptarëve shfaqet diplomacia austro-hungareze. Në faqet e shtypit të kohës mbisundonte konstatimi se diplomacia austro-hungareze ishte në korrelacion me kryengritjen e përgjithshme në Shqipëri. Revista bullgare “Iskra”, që botohej në Selanik, shkruan se më 12 gusht Shkupi çlirohet nga kryengritësit shqiptarë dhe ditën e nesërme diplomacia austro-hungareze shfaqet në skenë me propozim konkret për të bashkuar katër vilajetet shqiptare”. Më tej Asani vuri në dukje se “Gazeta bullgare “Vesti” në faqet e saj huazon një shkrim të botuar në gazetën serbe “Tërgovinski Gllasnik”. Në këtë shkrim përmblidheshin reagimet negative që kishte shkaktuar në Beograd propozimi për decentralizimin e Perandorisë Osmane nga konti Berthold. “Po gazeta “Vesti” në faqet e saja e boton opinionin e gazetës ruse “Novoe Vreme”, për propozimin e kontit Berthold për decentralizim, ku thuhej se ky propozim ka ardhur në periudhën kur po diskutohet seriozisht nga Fuqitë e Mëdha situata e paqëndrueshme në Perandorinë Osmane. Shqiptarët e fituan atë që duhet me propozimin e Bertholdit dhe për të pasur stabilizim të përhershëm në Ballkan dhe Evropë, domosdoshmërish duhet zgjidhur edhe çështja e popujve tjerë në Ballkan”, shpjegonte Asani.
Punonjësi shkencor i Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërorë të Shqiptarëve-Shkup, Skender Asani nënvizoi se “Shtypi bullgar konstatonte se Austro-Hungaria ia impononte programin e decentralizimit Perandorisë Osmane, ndërsa me qëllim që t’i realizojë aspiratat e veta, ajo synonte krijimin e një Shqipërie me katër vilajetet shqiptare (të Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës). Po sipas shtypit bullgar, defilimi i kryengritësve shqiptarë në Shkup, Kumanovë e Veles dhe paralajmërimet se do të shkojnë drejt Selanikut, bëhej nën moton e decentralizimit. Propozimi austro-hungarez për decentralizim kishte shqetësuar tej mase aleancën ballkanike dhe Rusinë, sepse ato drejtpërdrejt binin ndesh me synimet e kësaj aleance pansllaviste për Ballkanin”.
“Në muajin shtator shtypi bullgar filloi të propagandojë me të madhe luftën që duhet ndjekur aleanca sllavo-ballkanike me moto për shpëtimin e të krishterëve, me synim parapengimin e propozimit të Bertholdit për bashkimin e katër vilajeteve shqiptare”, konkludoi në punimin e tij studiuesi Skender Asani.
Ndërsa Dr. Sefer Tahiri nga ITSHKSH u prezantua me punimin shkencor me temë “Kontributi kombëtar i gazetës SHKUPI”. Në këtë punim Tahiri theksoi se
“Gazeta ‘Shkupi’, u botua në gjuhën shqipe në trojet e Maqedonisë së sotme dhe të Kosovës. Kjo gazetë doli në dritë më 29 gusht të vitit 1911, ndërsa vendimi për botimin e saj u mor në Kongresin e dytë të Manastirit, më 2 prill të vitit 1910. Themelues dhe kryeredaktor i saj ishte Jashar Erebara. Ishte luftëtar patriot, ideolog, i cili qëndroi burrërisht, duke botuar gazetën ‘Shkupi’, edhe pse në rrethana të vështira. Në ballinën e saj shkruante: “Pruen interesat e kombit” (mbron interesat e kombit), ndërsa vetë Erebara ishte adresa për çdo marrëveshje me gazetën”.
Sipas Tahirit edhe pse gazeta “Shkupi” ishte mjaft jetëshkurtër, meqë u botuan vetëm 34 numra (29 gusht 1911 – 3 tetor 1912) ka një rëndësi të veçantë për historinë e gazetarisë së shkruar por edhe për të kaluarën e kombit shqiptar. Vetë rrethanat historike janë ato që e bëjnë këtë gazetë tepër të rëndësishme. Gazeta “Shkupi” ishte në shërbim të aspiratave demokratike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare për autonomi politike dhe për çlirimin e plotë nga zgjedha pesëqind vjeçare e shtetit osman. Në të janë botuar materiale të shumta me tematikë politike, shoqërore, kulturore dhe letrare. Kjo gazetë njëherësh ishte edhe organ kombëtar politik e demokratik i Vilajetit të Kosovës”.
“Botimi i gazetës “Shkupi” vetëdijesonte masën dhe shmangte rrezikun e shkombëtarizimit. Lëvizja Kombëtare Shqiptare shtroi para vetes detyra të rëndësishme, që nëpërmjet hapjes së shkollave dhe botimit të një gazete në gjuhën shqipe në kryeqendrën e Vilajetit të Kosovës, në Shkup t’i rezistonte këtyre synimeve”, konstatoi Tahiri, i cili në studimin e tij sqaron se në shkrimet e tij, Erebara ishte mjaft kritik ndaj pushtetit të atëhershëm osman, të cilin e kritikonte pa asnjë frikë, nganjëherë edhe me humor, që ishte një ndër karakteristikat e shkrimeve të kryeredaktorit dhe botuesit të gazetës.
Tahiri konkludon se “Gazeta “Shkupi” e cila merrej me problemet e rrafshit kombëtar në shumë dimensione: politike, arsimore dhe kulturore, është një dëshmi e kohës, një argument i qenies kombëtare dhe një fakt që konkludon se media e shkruar në gjuhën shqipe ka pasur gjithmonë guxim, përkushtim dhe angazhim kombëtar, por mbi të gjitha vizion për të ardhmen e kombit shqiptar”.
Punimet shkencore të studiuesve nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve-Shkup u mirëpritën nga studiuesit dhe akademikët që morën pjesë në konferencën shkencore në Prishtinë, e organizuar nga Instituti i Historisë dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës. /itshksh/
……………………………………………………………………………………………………………………………………..
9 comments
Pingback: สูตรหวย รัฐบาล สูตรเด็ด ใช้ได้จริง แทงได้ตังค์
Pingback: ติดตั้งโซลาเซลล์
Pingback: rich89bet
Pingback: บริษัทกำจัดปลวก
Pingback: รับเหมาไฟฟ้า
Pingback: เรียนต่อออสเตรเลีย
Pingback: Sofwave
Pingback: เค้กสตอเบอรี่
Pingback: https://shbet.tours