PANEL DISKUTIMI: “NËNË TEREZA DHE TRASHËGIMIA E SAJ”, ORGANIZUAR NGA UNT DHE ITSHKSH

Shkup, 26.08.2025 – Me rastin e 115-vjetorit të lindjes së Gonxhe Bojaxhiut – Nënë
Terezës, Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, në bashkëorganizim me Institutin për
Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Shkup, organizuan me sukses
Panel Diskutimi me temë: “NËNË TEREZA DHE TRASHËGIMIA E SAJ”.
Në këtë diskutim, panelistët që prezantuan kumtesat e tyre ishin, Prof. Dr. Bekim Fetaji,
rektor i UNT-së, Dr. Besnik Emini, u.d. drejtor i ITSHKSH-së, Prof. Dr. Rizvan
Sulejmani, udhëheqës i këtij paneli.
Në kumtesën e tij, rektori Prof. Dr. Bekim Fetaji potencoi se ‘Nëna Terezë ishte
shembulli i përkryer i asaj se si vlerat shpirtërore mund të shndërrohen në vepra konkrete
që ndryshojnë realitete. Ajo na mëson se humanizmi nuk është një ideal i paarritshëm,
por një veprim i përditshëm. Si universitet, ne kemi misionin që këtë frymë ta përfshijmë
në programet tona arsimore dhe shkencore, në projektet kërkimore dhe në formimin e
studentëve tanë, në mënyrë që çdo dije e fituar të shërbejë si mjet për përmirësimin e
jetës së njerëzve dhe të shoqërisë.’ – tha rektori Fetaji.
Rektori Fetaji shtoi gjithashtu se ‘kujtimi i Nënës Terezë nuk është vetëm një ceremoni
përkujtimore, por një thirrje për reflektim dhe veprim. Si komunitet akademik, duhet të
shohim përtej auditorëve dhe laboratorëve, për të kuptuar se dija ka kuptim vetëm kur
kthehet në shërbim të njeriut. Angazhimi ynë është që studentët tanë të mos jenë thjesht
profesionistë të suksesshëm, por edhe qytetarë të përgjegjshëm, të udhëhequr nga etika,
përulësia dhe dashuria për tjetrin, ashtu siç na mësoi vetë Nëna Terezë.
Ndërsa u.d. drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në
Shkup, Dr. Besnik Emini, theksoi rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë
kulturore dhe shpirtërore.
Dr. Emini theksoi gjithashtu se ‘veprimtaria e ITSHKSH-së synon jo vetëm të
dokumentojë dhe ruajë trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore, por edhe ta bëjë atë të
gjallë dhe të prekshme për brezat e rinj. Duke nderuar figurën e Nënës Terezë, ne jo
vetëm kujtojmë një ikonë universale të humanizmit, por edhe frymëzojmë komunitetin
akademik dhe shoqërinë për të ndërtuar një botë më të drejtë.
Prof. Dr. Rizvan Sulejmani, gjatë fjalimit të tij, tha se ‘jemi mbledhur sot për të
përkujtuar ditëlindjen e Anjezë Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, një figurë që nuk i
përket vetëm kombit tonë, por mbarë njerëzimit. Trajtimi i jetës dhe veprës së Nënës
Terezë do të thotë të reflektojmë mbi një personalitet që sfidoi kontradiktat mes
materialës dhe shpirtërores, mes egoizmit dhe altruizmit, duke dhënë shembullin më të
lartë të baraspeshës humane.’
Profesor Sulejmani vijoi duke shtuar se ‘në një botë shpesh të dominojnë egoizmi, uria
dhe padrejtësitë sociale, mesazhi i Nënës Terezë mbetet më aktual se kurrë. Ajo na mëson
se dashuria dhe dhembshuria universale janë armët më të fuqishme përballë sfidave të
kohës sonë. Ne, si pjesë e universitetit që mban emrin e saj, kemi detyrimin moral dhe
akademik që të ruajmë dhe përcjellim këtë trashëgimi për brezat që vijnë.
Vlen të theksohet se në këtë panel diskutimi morën pjesë stafi akademik dhe
administrativ, si dhe studentët, të cilët patën mundësinë për një bashkëbisedim frymëzues
mbi trashëgiminë e Nënë Terezës – një frymë që vazhdon të motivojë brezat për të jetuar
me përulësi, dashuri dhe shërbim ndaj të tjerëve.

Shikoni gjithashtu

Studiues të Institutit në ekspeditë kërkimore në fshatin Sallarevë

Shkup, 27 gusht 2025 -Një grup studiuesish nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të …