NË ITSHKSH U MBAJT KONFERENCA SHKENCORE NDËRKOMBËTARE ME TEMË “FENOMENI I MIGRIMIT NË RAJONIN E BALLKANIT”

Shkup, 25 tetor 2023 – Në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, më datë 24 tetor u mbajt edicioni i gjashtë i konferencës shkencore ndërkombëtare të Ballkanologjisë me temën boshte: “Fenomeni i migrimit në rajonin e Ballkanit”, me pjesëmarrje të studiuesve nga të gjitha hapësirat shqiptare dhe rajoni.

Në konferencën shkencore, fenomeni i migrimit u trajtua nga aspekti historik dhe bashkëkohës. Studiuesit theksuan se ky fenomen, i cili në vendet e Ballkanit kohëve të fundit ka marrë përmasa masive është rezultat i ndikimit të shkaqeve politike, ekonomike, juridike, arsimore, kulturore etj.

Konferencën e shpalli të hapur drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, Skender Asani, i cili bëri shtjellim historik të fenomenit të migrimit në shekullin 19-të dhe 20-të, duke u fokusuar edhe tek shkaqet e migrimit të kohëve të sotme.

Fjalë përshëndetëse në emër të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë mbajti akademiku Marenglen Verli, ndërsa drejtorja Teuta Shala i përshëndeti punimet në emër të Institutit të Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë.

Në kuadër të konferencës shkencore u bë edhe promovimi i përmbledhjes shkencore “Ballkanologjia V”, në të cilën janë botuar punimet shkencore të konferencës shkencore me temë “Ballkani dhe globalizimi”, për të cilën foli Sefer Tahiri, kryeredaktor i përmbledhjes shkencore ndërkombëtare.

Në punimet e tyre shkencore, studiuesit u përqendruan në çështje të ndryshme si:

– Historia e migrimeve masive në Ballkan

– Migrimet nga vendet ballkanike për arsye politike

– Kushtet ekonomike, faktor për migrim nga Ballkani

– Shkaqet kryesore për migrim nga Ballkani (arsimi, shëndetësia, mosfunksionimi i sistemit juridik, korrupsioni dhe krimi i organizuar, infrastruktura, transporti, cilësia e ushqimit, cilësia e ujit dhe ajrit, etj.)

– Migrimi i “trurit” nga vendet ballkanike

– Reflektimi i migrimit ndaj zhvillimeve demografike dhe numrit të nxënësve të shkollave fillore, të mesme dhe numrit të studentëve në Ballkan

– Rreziku i asimilimit të qytetarëve të Ballkanit në migrim

– Qytetarët e Ballkanit në migrim midis kulturës etnike dhe kulturës globale

– Format e organizimit të qytetarëve jashtë Ballkanit dhe integrimi i tyre në shtetet e Evropës, ShBA e vende tjera

– Strategjitë shtetërore për kthimin e qytetarëve në vendet e Ballkanit

– Migrimi i pasqyruar në folklorin dhe letërsinë e popujve ballkanikë

– Migrimi në veprat e ndryshme kulturore në Ballkan

– Migrimi i popujve të Ballkanit krahasuar me migrimin e popujve tjerë

-Të huajt mbi migrimin në Ballkan

– Raportimi mediatik mbi migrimin në Ballkan, etj.

Punimet e konferencës shkencore do të botohen në edicionin e gjashtë të revistës shkencore “Ballkanologjia”, që do të botohet vitin e ardhshëm.

 

Shikoni gjithashtu

NËNA TEREZE U ANGAZHUA QË NJERIU TË MOS I NGJAJË NJË SKELETI TË ZHVESHUR NGA NDJESIA NJERËZORE

Sipas Nënës Tereze natyra njerëzore ka nevojë më tepër për anën shpirtërore sa sa materiale …