Sot, më 4 tetor, një delegacion i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, e vizitoi Universitetin Shtetëror të Tetovës me synim nënshkrimin e një marrëveshje bashkëpunimi. Marrëveshja u nënshkrua nga Drejtori i Insitutit, Dr. Skender Asani, dhe rektori i UT-së, Dr. Jusuf Zejneli.
Drejtori Asani u deklarua se puna e vazhdueshme e ITSHKSH është në dobi të shoqërisë, sidomos të atyre që më së shumti mbajnë përgjegjësi për arsimimin dhe vetëdijesimin e qytetarëve. Ndërkaq, rektori Zejneli theksoi se pas shumë vitesh punë të pandalshme, Universiteti i Tetovës është shndërruar në qendër të mirëfilltë edukimi e arsimimi, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në rajon, një sakrificë të cilën Instituti do ta mbështesë në mënyrë që zhvillimi dhe përparimi në edukim për brezat e rinj të ketë cilësi sa më të lartë.
Pas nënshkrimit të këtij memorandumi të bashkëpunimit, përfaqësuesit e Institutit patën mundësi që ta prezantojnë punën hulumtuese shkencore të ITSHSK-së, me ç’rast drejtori elaboroi mbi peshën shkencore që e ka Instituti në hapësirën akademike në Maqedoninë e Veriut. Dy palët u ndanë të kënaqura me shpresën e vizionit për një bashkëpunim të frytshëm dhe afatgjatë.