Debat për rëndësinë e përrallave në letërsinë për fëmijë

Shkup, 4 tetor 2023 – Përrallat, si njëra prej gjinive më të bukura të letërsisë popullore kanë qenë dhe janë frymëzim për shkrimtarët. Sa do që janë të hershme për nga gjeneza dhe nuk janë më aq popullore si para epokës digjitale, ato vazhdojnë të luajnë një rol jashtëzakonisht të madh në formimin e personalitetit të njeriut dhe, pa dyshim që përbëjnë një vlerë të pakontestueshme të trashëgimisë sonë kulturore. Kështu u tha mes tjerash në debatin shkencor “Roli dhe rëndësia e tregimeve popullore në zhvillimin e krijimtarisë letrare për fëmijë”, që u mbajt të enjten në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, në organizimin e Shoqatës për Veprim Qytetar Kulturor “DEA 22”.

Drejtori i ITSHKSH-së, prof. dr. Skender Asani, vlerësoi lart punën që bën shoqata DEA
22 në drejtim të sensibilizimit të rëndësisë që kanë përrallat. “Të gjithë shkrimtarët e mëdhenj
janë frymëzuar nga përrallat. Kështu ka ndodhur edhe me rilindësit tanë, të cilët i kanë mbledhur
dhe studiuar. Parashqevi Qiriazi, në Ditarin e saj tregon se si nuk i harron përrallat që i ka
dëgjuar nga gjyshja, po kështu edhe Nënë Tereza”, tha drejtori Asani. Me nota të veçanta, ai
vlerësoi botimin e librit “Gjyshja më ka treguar”, i cili u promovua gjatë debatit në fjalë.
Kryetarja e SHVQK DEA 22, Laura Papraniku Bejtullau, shpjegoi se ky libër është përmbledhje
e rrëfimeve të përrallave nga nxënësit e shkollave fillore në Dibër, Shkup dhe Kumanovë, të cilët ishin përfshirë në projektin “Thesaret e trashëgimisë “- I, vitin e kaluar, ndërsa tha se vitin e
ardhshëm do të botohen përrallat e rrëfyera nga nxënësit e përfshirë në projektin e këtij viti.
Diskutimet mbi rolin dhe rëndësinë që kanë tregimet popullore në zhvillimin e krijimtarisë letrare për fëmijë, i vendosën studiuesit e folklorit prof. dr. Zeqirija Nezirin dhe prof. dr. Izaim Murtezanin përballë shkrimtareve Puntorie Muça Ziba, Merita Abazi dhe Zarije
Jonuzi Çeliku, të cilët paraqitën pikëpamjet si dhe përvojat personale lidhur me temën boshte të debatit. Duke folur për vendin që ka përralla në letërsinë popullore dhe për rolin edukativ të saj,
prof.dr. Neziri, e quajti përrallën “mbretëreshë të krijimtarisë gojore”, ndërsa nënvizoi qëndrim e
shumë studiuesve të fushës, sipas të cilëve fëmijëria deri në moshën 10 vjeçe, është periudha kur
përrallat ndikojnë më së shumti në ndërtimin e personalitetit të njeriu.
Në karakterin e atyre njerëzve, që nuk kanë dëgjuar përralla në moshën e fëmijërisë,
krijohet një zbrazëtirë e cila nuk mund të plotësohet deri në fund të jetës, u shpreh profesor
Neziri. Të këtij qëndrimi ishin edhe panelistët tjerë të debatit. “Fuqia që kanë përrallat në
zhvillimin e imagjinatës së fëmijëve është e jashtëzakonshme dhe gjithashtu ndikon edhe në
ndërtimin e karakterit”, u shpreh shkrimtarja Puntorie Muça Ziba, duke pohuar gjithashtu se

personalisht ajo është frymëzuar dhe vazhdon të frymëzohet nga përrallat, legjendat dhe gjinitë
tjera të krijimtarisë popullore.
Përrallat, sikurse shpjegoi prof.dr. Izaim Murtezani kanë zgjuar interesimin e studiuesve
dhe filozofëve të shumtë, ndërsa u ndal në psikoanalizën e Frojdit për të sqaruar prezencën e
komplekseve të Edipit dhe Elektrës në përrallat shqiptare. Profesoresha Merita Abazi, u ndal në
një dimension tjetër, atë të përrallave si mjet përcjellës i porosive edukative dhe moralizuese si
dhe shfrytëzimin e mundësive që ofron në këtë drejtim teknologjia informatike për përcjelljen e
përrallave në platformat digjitale. Me mjaft interes u ndoq edhe prezantimi i krijueses Zarie
Jonuzi Çelikut lidhur me ndikimin që ka krijimtaria popullore tek shkrimtarët e rinj.
Në debat u përshinë edhe punonjësit shkencor të ITSHKSH-së dhe përfaqësues të
shkollave të cilët konsiderojnë se në programet mësimore duhet tu kushtohet më tepër vëmendje
përrallave si gjatë aktiviteteve mësimore ashtu edhe gjatë aktiviteteve të lira.
Debati që u zhvillua
në ITSHKSH, është një prej aktiviteteve të projektit “Thesar të trashëgimisë”-II, i mbështetur
financiarisht nga Ministra e Kulturës dhe realizuar nga SHVQK DEA 22.

Shikoni gjithashtu

Shefi i zyrës politike të Ambasadës Amerikane Dejvid Majers vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me ITSHKSH-në

Shkup, 6 mars 2025 – Në kuadër të bashkëpunimit shumëvjeçar midis ITSHKSH-së dhe ambasadës së …