GJENOCIDI, SI PLAGË DHE SI REFLEKTIM
Pas mbledhjes përkujtimore kushtuar Rezolutës për shpalljen e datës 11 korrik si Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve sot ka nënshkruar një Memorandum bashkëpunimi me Institutin e Krimeve të Luftës në Kosovë, përfaqësuar nga drejtori i këtij instituti, Atdhe Hetemi. Ngjarja e sotme ka bërë bashkë shumë arsye dhe motive për të ndërtuar strategji sa më efikase që do ta sfidonin harresën dhe do të nxirnin në pah reflektimin tonë mbi të kaluarën, sepse pa pastrimin e të kaluarës nuk mund të kemi të ardhme të ndritshme.
Rezoluta për Srebrenicën zbuloi edhe një fakt – që faji nuk mund të mbetet jetim përgjithmonë dhe se fajtorët duhet idenitifikuar për krimet montruoze që i kanë bërë mbi popullatën e pambrojtur civile.
Rezoluta për Srebrenicën sikur i dha të drejtë dhe e justifikoi vendimin e bashkësisë ndërkombëtare që në vitin 1999 të intervenojë ushtarakisht për të evituar në Kosovë një gjenocid të dytë, sepse ajo çka u tolerua në BeH nuk guxonte të përsëritej në një vend tjetër në ish Jugosllavi. Me këtë intervenim u bë e qartë se do të jenë të papranueshme politikat nacionaliste që dëmtojnë popujt tjerë dhe se asnjë krim në të ardhmen nuk do të mbetet pa u ndëshkuar.
Duke kujtuar Srebrenicën, ne kujtojmë çdo viktimë që padrejtësisht ka vuajtur pasojat e diskriminimit dhe krimit shtetëror, duke filluar që nga Holokausti e deri në luftën e fundit në Kosovë, ku pasojat e represionit serb nuk janë shëruar ende, një arsye kjo edhe më shumë që të punohet në një rezolutë të re ku do të dënohej gjenocidi serb në Kosovë.
ITSHKSH , me përvojën dhe kontributet e veta, ka arritur të etablohet fuqishëm në hapësirën e ideve interdispilinare që kanë si objektiv trajtimin e gjenocidit, prandaj ky Memorandum bashkëpunimi me Institutin e Krimeve të Luftës në Kosovë, pritet të prodhojë efekte të prekshme në terren, duke e bërë sa më të qartë nevojën e dokumentimit dhe sistemimit të faktografisë së nevojshme për të argumentuar dimensionet e gjenocidit mbi shqiptarët./SA
Shkup, 10. 07. 2024