Ekspozitë në Stamboll kushtuar objekteve të kultit islam në Shkup

Stamboll – Të premten më 24 tetor 2025, në Qendrën Kulturore të Komunës Fatih të Stambollit, studiuesit e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, Murtezan Idrizi, Skender Asani, Sefer Tahiri dhe Sevdail Demiri, para një auditori të gjerë prezantuam ekspozitën “Objektet e kultit islam në Shkup në periudhën mes dy luftërave botërore”.

Ekspozita me fotografi historike zgjoi interes të madh nga publiku, e veçanërisht shkupjanët që jetojnë e veprojnë në Stamboll të Turqisë, të cilët kanë nostalgji për vendin e të parëve të tyre dhe me objektet e trashëgimisë kulturore islame.

Bartësi i projektit, Dr. Murtezan Idrizi, tha se përmes dëshmive mirë të dokumentuara përmes fotografive dhe me një qasje shumëdimensionale, synohet të zbardhet e vërteta objektive historike e fatit të besimtarëve myslimanë në Shkup me rrethinë në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore.

Me këtë rast përkujtua edhe 100-vjetori i rrënimit të Xhamisë Burmali, e njohur si “Bukuroshja e Shkupit”, për të cilin foli studiuesi Dr. Skender Asani, i cili edhe në cilësinë e anëtarit të komisionit të Filatelisë së Postave të Maqedonisë së Veriut, autoriteteve vendase u dhuroi disa pulla postare të edituara me simbolin e Xhamisë Burmali.

Hapjen e ekspozitës e përshëndeti edhe drejtori i Qendrës Kulturore Informative të Maqedonisë së Veriut në Stamboll, Dime Ratajkovski, përfaqësuesi i organizatës RUTEV, Naim Aras, etj.

Një pjesë e fotografive të paraqitura në këtë ekspozitë janë dhuruar nga shkupjani z. Shemsedin Rexhepi, ndërsa pjesa tjetër është siguruar nga fondi arkivor i Muzeut të Qytetit të Shkupit.

Ekspozita e ITShKSh-Shkup u realizua në bashkëpunim me Qendrën Kulturore Informative të Maqedonisë së Veriut në Stamboll si dhe Shoqatën e Shkupjanëve në kuadër të RUTEV-it, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Maqedonisë së Veriut.

Komplet ekspozita me 14 panele iu dhurua Shoqatës së Shkupjanëve në kuadër të RUTEV-it në Stamboll, ku ditët në vijim do të ekspozohet në objektet e saj.

Shikoni gjithashtu

Studiuesit e ITShKSh-së, hulumtime albanologjike në zonën e Likovës

Kumanovë, tetor 2025 – Me fillimin e muajit tetor filloi edhe puna në terren e …