DREJTORI I ITSHKSH-së ASANI REALIZOI NJË VIZITË TË SUKSESSHME PUNE NË KROACI

Shkup, 23 tetor, 2024 – Drejtori i ITSHKSH-së, Prof.dr. Skender Asani, ka qëndruar në një
vizitë disaditëshe pune në Kroaci. Përpos takimeve me personalitete shkencore e publike,
ai ditë më parë (21 tetor) në praninë e drejtuesve të këtij qyteti, të përfaqësuseve të
komuniteteve fetare- shqiptare si dhe të Ambasadorit të Maqedonisë së Veriut në Kroaci, z.
Milaim Fetait, përfshi edhe Konsullin të nderit të Republikës së Shqipërisë në Osjek, z. Basri
Aliti, drejtori Asani ka marrë pjesë edhe në inaugurimin e shtatores së Nënës Tereze në
Osijek, me ç’rast është organizuar edhe një konferencë shkencore kushtuar kësaj gruaje të
madhe, pjesëmarrës së cilës ishte edhe ai.
Duke folur për personalitetin kompleks të Nënës Tereze, në kumtesën e tij me titull “Një
figurë që bashkon tre emra, ngjashëm si trinia e shenjtë”, Asani vuri në pah se Shën Nëna
Tereze përfaqëson figurën më emblematike që bashkon universalitetin e virtytit njerëzor
dhe shenjtërinë hyjnore. Duke qenë midis njerëzores dhe hyjnores, ajo u mundua të na
tregojë se thellë në natyrën e njeriut bashkëjetojnë flijimi,ndërgjegjësimi dhe besimi, si tre
komponente që e bëjnë të veçantë qenien njerëzore, nënvizoi Asani.
Në vazhdën e bashkëpunimit të ITSHKSH-së me Arkivin Shtetëror të Koracisë, drejtori
Asani zhvilloi një takim pune edhe me drejtorin e këtij arkivi Dr. Dinko Čutura, si dhe me
ndihmësin e tij, Dr. Amir Obhođaš. Pas këtij takimi, drejtori Asani u shpreh se puna
hulumtuese që është bërë viteve të fundit në këtë Arkiv, na ka dhënë nxitje shtesë që të
vazhdojmë me projekte të reja, duke sjellë fakte e njohuri specifike mbi ngjarje e njerëz në
kohë e hapësira të ndryshme, por që lidhen kryesisht me historinë shqiptare. Ai me këtë
rast u ka shprehur mirënjohje drejtuesve të Arkivit Shtetëror të Kroacisë për mbështetjen
shumë korrekte që po i japin punës hulumtuese-shkencore të ITSHKSH-së.
Me qëllim të njohjes nga afër të organizimit dhe dinamikës së përditshmërisë së
komunitetit shqiptar në Kroaci, drejtori Asani vizitoi edhe Unionin e Shqiptarëve në Kroaci,
ku u prit nga kryetari i këtij Unioni, z. Esad Çollaku, me të cilin shkëmbyen njohuri e
përvoja mbi rrjedhat historike e aktuale nëpër të cilat ka kaluar kombi shqiptar. Me këtë
rast z. Çollaku ka shprehur interesim mbi mundësitë e bashkëpunimit të shumanshëm në
mes të ITSHKSH-së dhe Unionit të Shqiptarëve në Kroaci. Kjo edhe për faktin se, siç tha
Prof.dr. Skender Asani, lidhja e shqiptarëve me Kroacinë, si në të kaluarën, si sot, është
shprehje e një tradite të gjatë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi. Ai bashkë me z. Çollakun u
zotuan se vazhdimi i kësaj tradite do të jetë edhe prioritet i përbashkët në të ardhmen.

 

Shikoni gjithashtu

VIZITË NË ITSHKSH, KOMUNITETI SHQIPTAR I SELANIKUT SJELL NË SHKUP ZËRIN E ARTIKULUAR TË DIASPORËS

Shkup, 21 dhjetor 2024 – Sot në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve …