Vatikan, 08 shkurt 2024 – Sot në Selinë e shenjtë, në Vatikan, u organizua një pritje për Prof.dr. Skender Asanin , drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kultrurore të shqiptarëve nga ana e monsignor Khaled B. Akasheh, përgjegjës i digasterit për dialog interreligjoz. Ky i fundit në vitin 1982 e kishte takuar Nënën Tereze në Palestinë dhe ky ishte një shkas që pikërisht kjo figurë të zëjë gati pjesën qëndrore të takimit, me ç’rast drejtori Asani shpalosa gjithë punën dhe vizionin e ITSHKSH, sidomos ato segmente që në mënyrë shkencore dhe të përkushtuar trajtojnë çështje të komunikimit dhe mirëbesimit qytetar e fetar në vendin tonë, duke përmendur edhe punën që është bërë në kuadër të Departamentit për studimin e trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut-Nënës Tereze.
Organizimi i disa tribunave shkencore dhe eventeve me karakter kulturor e shhpirtëror, botimi i shumë titujve me interes të veçant si dhe fokusimi në mbrojtjen e figurës së Nënës Tereze përmes rregullativave ligjore të shtetit, ishin disa nga çështjet që drejtori Asani i ngriti gjatë bashkëbisedimit me nikoqirin, duke i paraqitur me këtë rast edhe interesimin e kahershëm që në Shkup të dërgohet një famullitar shqiptar, i cili do të përhapte porositë biblike edhe në gjuhën e Nënës Tereze, me të vetmin qëllim që komuniteti shqiptar-katolik i Shkupit të mos përjetojë edhe më tej dramën e zhbërjes. Të gjitha këto preokupime, sipas drejtorit Asani, janë pjesë e strategjisë së ITSHKSH që shoqëria ku bashkëjetojnë shumë etni me fe e gjuhë të ndryshme të kenë një mirëkuptim qytetar në mes veti. Një strategji e tillë nuk ka mbetur pa u vërejtur edhe nga faktorët ndërkombëtarë, përfshi ambasadat dhe organizatat e ndryshme të cilët në raportet e tyre e ka ranguar ITSHKSH si një shembull i shkëlqyer i kultivimit dhe përhapjes së tolerancës qytetare e fetare midis njerëzve.
Duke qenë dëshmitar i një ekspozeje të tillë të drejtorit Asani, nikoqiri i Vatikanit, monsignor Khaled B. Akasheh, mbeti i entuziuazmuar, me ç’rast u falenderua për informacionet burimore që mori dhe u zotua se bashkëpunimi në mes të zyrës që ai drejton dhe ITSHKSH tash e tutje do të ngritet në një nivel më të lartë.
Në shenjë faleminderimi për mikëpritjen dhe gatishmërinë për bashkëpunim, drejtori Asani bibliotekës së Vatikanit i dhuroi disa tituj të botuar nga ITSHKSH, ku spikasin sidomos ato botime që trajtojnë fushat për të cilat u fol më lart. Ndër të cilët edhe libri për “Familjet katolike shqiptare”, për Gonxhe Bojaxhiun- Nënë Tereze si dhe “Ipeshhkvia Shkup-Prizren nëpër shekuj”.
Pjesë e vizitës së Prof.dr. Skender Asanit në Selinë e shenjtë ishte edhe njohja nga afër me ambientet e Vatikanit, përfshi edhe bazilikën e Shën Pjetrit, një vepër arti që bashkon magjinë e arkitekturës me misonin e shenjtë që mbart ky tempull i lashtë fetar e civilizues.
Në fund të kësaj vizite, drejtori Asani premtoi se Institutin e pret një e ardhme premtuese me plot veprimtari shkencore-hulumtuese, ku Vatikani me të gjitha resurset e veta arkivore do të jetë një prej adresave që do të përdoren për këto veprimtari.