Shkup, 15.11.2019 – Manifestimi kulturor-shkencor “Ditët e Alfabetit të gjuhës shqipe”, nën organizimin e ITSHKSH dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, nga Manastiri ku filloi dje, sot vazhdoi në Shkup – pikërisht në sallën “Wilson” të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve. Kjo ditë iu kushtua njërit nga emrat më të shquar të letërsisë vendore e ndërkombëtare, akademik Luan Starova
Aktiviteti i sotëm përbëhej nga dy pjesë. Në pjesën e parë u promovua njëri nga botimet më të reja të Institutit, libri “Biseda me Omer Kaleshin” (Shkup-Stamboll-Paris), i cili vjen i shqipëruar nga Fatmir Sulejmani, e me parathënie të Ferid Muhiq. Bëhet fjalë për një bashkëbisedim artistik mes autorit Luan Starova, dhe njërit nga piktorët më të famshëm në botë – Omer Kaleshi, i cili sot po ashtu na nderoi me pjesëmarrjen e tij.
Drejtori i ITSHKSH-Shkup, dr. Skender Asani, në fillim theksoi rëndësinë e dy kolosëve të shquar të artit e kulturës, Starova e Kaleshi, vepra e të cilëve i ka kapërcyer të gjithë kufijtë.
Në emër të Qeverisë, me një fjalë përshëndetëse u paraqit anëtari i Këshillit Organizues të “Ditëve të Alfabetit”, njëherit Sekretar shtetëror i Ministrisë së Kulturës, Valmir Aziri.
Më tej, përgjegjësi i botimeve të ITSHKSH-së, Sevdail Demiri, theksoi rëndësinë që i kushton Instituti veprimtarisë botuese, si një nga fushat themelore të punës hulumtuese-shkencore.
Pikëpamjet e tyre rreth librit “Biseda me Omer Kaleshin” (Shkup-Stamboll-Paris), i paraqitën dy njohësit e mirë të veprës në fjalë: akademik Ferid Muhiq dhe prof.dr. Fatmir Sulejmani.
Ndërsa, protagonisti kryesor i librit – piktori akademik Omer Kaleshi, u shpreh tejet falënderues për nderin e bërë me këtë libër, ku është pasqyruar në shumë dimensione, jo vetëm se veprimtaria e tij artistike, por edhe biografia.
Në pjesën e dytë të aktivitetit, me vlerësime shumëdimensionale mbi veprën e larmishme të Luan Starovës, u paraqitën studiuesit e njohur të letërsisë: Mirlinda Krifca, Salajdin Saliu, dhe Afrim Rexhepi.
Në fund, të pranishmëve iu drejtua vetë akademik Luan Starova, i cili tha se këtë libër e ka shkruar në bazë të bisedave që ka zhvilluar me piktorin, Omer Kaleshin, në Paris, Stamboll dhe Shkup. “Më në fund vendosa që kjo të jetë një libër bisedash, do të thotë bisedat që i kemi bërë në Paris, mandej në Shkup, mandej edhe në Stamboll, ku kemi qëndruar një javë bashkë. Dalëngadalë Omeri dilte nga vetja me bisedat e gjata. Tregonte një kulturë shumë të madhe mbi artin. Shtëpia e tij në Paris njëkohësisht është edhe bibliotekë me veprat e tij”, u shpreh autori Luan Starova.
Manifestimi kulturor-shkencor “Ditët e Alfabetit të gjuhës shqipe”, nesër vazhdon në ITSHKSH-Shkup, me fillim në ora 12:00, me promovimin e librave të prof.dr.Vllado Popovski, rreth Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.