Nga Manastiri i Qiriazëve, nisën “Ditët e Alfabetit të Gjuhës Shqipe”

Manastir, 14.11.2019 – Sot nga Manastiri nisi aktiviteti i parë në kuadër të manifestimit disaditor me karakter kulturor-shkencor “Ditët e Alfabetit të Gjuhës Shqipe”.
Drejtori i ITSHKSH-së, dr. Skender Asani, si koordinator i aktiviteteve që organizohen nga Instituti dhe nën kujdesin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, theksoi rëndësinë e kësaj date të rëndësishme historike për mbarë popullin shqiptar. Ai tha se nga Manastiri i Qiriazëve po i nisim aktivitetet e manifestimit “Ditët e Alfabetit të Gjuhës Shqipe”, dhe sot po e promovojmë një libër të veçantë që flet për lëvizjen protestante te shqiptarët, si një nga promotorët kryesorë të krijimit të alfabetit shqip.

Ky manifestim disaditor zhvillohet nën patronazhin e Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive. Njeriu i parë i kësaj ministrie, njëherit zëvendëskryeministër i Qeverisë, Sadulla Duraku, tha se Kongresi ishte rezultat i ngritjes intelektuale, dhe dëshirës për ngritjen kulturore dhe politike të kombit tonë, andaj identitetit tonë kombëtar do t’i shtohej elementi më i rëndësishëm: alfabeti ynë i njësuar.

Fjalë rasti në hapjen solemne të manifestimit patën edhe drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës Shqipe, Ylber Sela, trashëgimtari i familjes së heroit të kombit Hasan Prishtina, Mehmet Prishtina, si dhe drejtori i Muzeut të Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Manastir, Nuer Arsllani.

Ndërsa, në pjesën e dytë të aktivitetit u bë promovimi i librit: “Lëvizja Protestante te shqiptarët, 1816–1908”, nga autori David Hosaflook.

Fillimisht rreth veprimtarisë botuese të Institutit foli përgjegjësi i botimeve, Sevdail Demiri, i cili theksoi se duke e pasur parasysh faktin që veprimtaria botuese është një nga fushat themelore të punës sonë shkencore, Instituti jonë, viteve të fundit ka pasur një angazhim të shtuar dhe shumë serioz në këtë drejtim.

Më pas, rreth librit në fjalë referuan recensentët: Jorina Kryeziu-Shkreta, Bertina Salliu e Ledio Hala. Dhe në fund autori David Hosaflook, theksoi rëndësinë e këtij libri për studimet albanologjike, dhe nxjerrjen e në dritë të fakteve të reja historike rreth lëvizjes protestante në përgjithësi, dhe familjes Qiriazi në veçanti, si bartëse kryesore e kësaj lëvizjeje.

Ditët e Alfabetit prej nesër vazhdojnë në ITSHKSH-Shkup, ku sipas agjendës, do të promovohet veprimtaria letrare e akademik Luan Starovës, dhe libri i tij i fundit – ‘Biseda me Omer Kaleshin’.

 

Shikoni gjithashtu

МАЈКА ТЕРЕЗА СЕ ОБВРЖИ ЗА ДА ЧОВЕКОТ ДАНЕ ОСТАНЕ КАКО СКЕЛЕТ БЕЗ ЧОВЕЧКИ ЧУВСТВА

Според Мајка Тереза, на човечката природа повеќе и е потребна духовната страна отколку материјалната, а …