Asani: Presidenti Uillson vuri themelet e miqësisë shqiptaro – amerikane

Prishtinë, 24.06.2019 – Nën patronazhin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Kryeministrit Haradinaj, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, dhe Instituti për Studime Shqiptare e Protestante, sot në Prishtinë promovuan ekspozitën dhe  pullën postare që i kushtohen 100-vjetorit të Konferencës së Parisit dhe angazhimit të presidentit Uillson dhe qeverisë amerikane për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve.

Me këtë rast, Dr. Skender Asani, drejtor i Institutit, tha se shqiptarët fituan shtet në Konferencën e Parisit pikërisht në saje të ndihmës amerikane dhe Presidentit Uillson. Kjo edhe ishte arsyeja që ne hulumtuam në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë për ta ilustruar këtë fakt dhe për ta bërë më të qartë se sa e rëndësishme është miqësia me SHBA-të për kombin shqiptar në Ballkan, u shpreh Asani. Ai më tej shtoi se komuniteti protestant shqiptar, i përfaqësuar me Kristo Dakon dhe motrat Qiriazi, si dhe misionarët protestantë amerikanë në trojet tona, janë mbase më meritorët që Amerika ishte në anën tonë në Konferencën e Parisit. Sipas Asanit, duke e promovuar këtë pullë postare me portretin e Presidentit Uillson, si edhe këtë ekspozitë, ne sot jemi përsëri bashkë me misionarët protestantë amerikanë, siç është z. David Hosaflook, që është kujdesur për këtë ekspozitë dhe për shumë detaje të shënimit të kësaj ngjarjeje.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, fjalë rasti pati kryeministri Ramush Haradinaj, i cili çmoi lartë rolin e SHBA-ve që historikisht kanë dhënë për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve. Kjo ndihmë ishte e pakursyer edhe në luftën e fundit të Kosovës 20 vjet më parë, u shpreh Haradinaj.

Në ndërkohë, në kuadër të këtij aktiviteti, ITSHKSH – Shkup dhe Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” – Suedi, të përfaqësuar nga drejtori Skender Asani, dhe kryetari i shoqatës, Hysen Ibrahimi, nënshkruan një marrëveshje për bashkëpunim të ndërsjellë në disa sfera me interes të përbashkët.

Shikoni gjithashtu

МАЈКА ТЕРЕЗА СЕ ОБВРЖИ ЗА ДА ЧОВЕКОТ ДАНЕ ОСТАНЕ КАКО СКЕЛЕТ БЕЗ ЧОВЕЧКИ ЧУВСТВА

Според Мајка Тереза, на човечката природа повеќе и е потребна духовната страна отколку материјалната, а …