Shkup, 4 mars 2024 – Ambasadorja e Gjermanisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, znj. Petra Dreksler sot e ka vizituar Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, me ç’rast nga drejtori, Prof.dr. Skender Asani, është njoftuar mbi shumë aspekte të funksionimit të këtij Instituti, duke bërë edhe një kronologji të shkurtër që nga themelimi e deri më sot. Drejtori Asani ka potencuar gjithashtu disa nga arritjet e deritanishme, përfshi hapjen e 18 departamenteve hulumtuese-shkencore, me theks të posaçëm përkushtimi për mbrojtjen e trashëgimisë së Nënës Terezë, si dhe edukimin dhe hulumtimin mbi Holokaustin. Në kontekstin e këtyre të arriturave, drejtori Asani e njoftoi Ambasadoren Dreksler edhe zyrtarizimin e gjashtë qendrave rajonale të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe qendrës dokumentare-multimediale dhe të mërgatës.
Ambasadorja Dreksler, nga ana e saj, e përgëzoi drejtorin për kontributin e Institutit në krijimin e urave lidhëse mes kulturave të ndryshme dhe në punën hulumtuese të departamenteve, duke veçuar me këtë rast edhe nxjerrjen në dritë të botimeve, të cilat e zbardhin historinë si dhe për përpjekjet për të kultivuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e frytshëm mes komuniteteve të ndryshme në Maqedoninë e Veriut.
Duke uruar që mbështetja dhe bashkëpunimi me Gjermaninë të vazhdojë, drejtori Asani në fund të takimit ia dhuroi ambasadores një përzgjedhje të botimeve të Institutit.