ITShKSh shënoi 26-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Shkup, 6 mars 2024 – Sot në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup u mbajt një akademi solemne -përkujtimore për shënimin e 26-vjetorit të Epopesë së UÇK-së dhe rënien heroike të familjes Jashari në Prekaz, tashmë një aktivitet tradicional i Institutit, që i bashkohet nderimeve që i bëhen kësaj dite në mënyrë institucionale edhe në Tiranë dhe Prishtinë.

Me prezencën e tyre përkujtimin e kësaj ngjarjeje historike kombëtare e pasuruan ambasadori i Republikës së Kosovës – Florian Qehaja, pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve, si dhe bashkëluftëtarë të Adem Jasharit nga Maqedonia, gjegjësisht nga grupi i parë i stërvitjes në Shqipëri në vitin 1991, si: Femi Beqiri, Qenan Haziri e Nuri Bexheti nga Tetova, Halil Palloshi, Jakup Limani e Fatmir Stavileci nga Shkupi.

Pas hapjes solemne, nën medolinë e këngës së Adem Jasharit tashmë e kthyer në një himn mbarëkombëtar, mori fjalën drejtori i ITShKSh-së,  Skender Asani, i cili bëri një retrospektivë të ngjarjeve historike që sollën 5, 6 dhe 7 marsin 1998, si data të përkujtimit të sakrificës për lirinë e kombit.

“Adem Jashari është edhe i Shkupit, është edhe i shqiptarëve të Maqedonisë. Në Tiranë ai ka shkuar me grupin përmes aeroportit të Shkupit, dhe jo rastësisht edhe komunikata e parë e UÇK-së doli nga Shkupi, që do të thotë se këto tri shkronja ndryshuan rrjedhën edhe falë kontributit të qytetit tonë”, u shpreh Asani.

Në vazhdim fjalën mori ambasadori Qehaja, i cili nisur nga konteksti historik iu referua së ardhmes, duke thënë se pikënisja e çdo oficeri të ri të ushtrisë së Republikës së Kosovës është UÇK-ja, sepse ideja e sakrificës që dhanë luftëtarët e kombit është frymëzim për të pasur një forcë sigurie që sot po konsolidohet gjithnjë e më tepër dhe përpiqet në sigurimin e paqes sa herë që Kosovës i kanoset rreziku.

Ndërkaq, kësaj ngjarjeje i dhanë një shije të veçantë fjalimet e Femi Beqirit dhe Jakup Limanit në emër të bashkëluftëtarëve të orëve të para të UÇK-së, duke përcjellë emocione, kujtime dhe mesazhin e vlefshëm që të ruajmë atë çka u arrit me shumë sakrificë nga Adem Jashari dhe dëshmorët e kombit.

Në këtë manifestim mori pjesë dhe veprimtarja Halide Palloshi, si dhe njëri nga ushtarët më të rinj nga Maqedonia në luftën e UÇK-së, Izmit Nura.

 

Shikoni gjithashtu

МАЈКА ТЕРЕЗА СЕ ОБВРЖИ ЗА ДА ЧОВЕКОТ ДАНЕ ОСТАНЕ КАКО СКЕЛЕТ БЕЗ ЧОВЕЧКИ ЧУВСТВА

Според Мајка Тереза, на човечката природа повеќе и е потребна духовната страна отколку материјалната, а …