Shtohen kuadrot me tituj shkencorë në ITSHKSH, Laura Papraniku Bejtullau merr titullin doktor i shkencave të albanologjisë

Të mërkurën (29 prill 2026) Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore  dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup iu shtua edhe një punonjës shkencor me titullin doktor i shkencave të albanologjisë.  Laura Papraniku Bejtullau prezantoi punimin e disertacionit të doktoratës “Kultura gjuhësore e mediave në gjuhën shqipe në RMV (1990-2024)”, në Fakultetin e Filologjisë “Bllazhe Konseski” të Universitetit “Kirili dhe Metodi” në Shkup, para komisionit pesë anëtarësh: prof. dr. Mirushe Hoxha (kryetare), prof. dr. Ismet Osmani (mentor), prof.dr. Asllan Hamiti (anëtar), prof.dr. Valbona Nesimi Toska (anëtare) dhe prof. dr. Ajten Hajdari Qamili (anëtare).  Pas mbrojtës me sukses të disertacionit, ajo mori titullin doktor i shkencave humane – shkenca e gjuhës: albanologji.

“Prezantimi publik i punimit të doktoratës zgjati 30 minuta dhe pas kësaj, në pjesën e diskutimeve kandidates Laura Papraniku Bejtullaut iu parashtruan tetë pyetje, për të cilat ajo dha shpjegime me argumente shteruese”, shkruhet në procesverbalin e lexuar nga kryetarja e Komisionit, prof. dr. Hoxha. Mentori prof. dr. Osmani, paraqiti pjesë nga Recensioni i punimit të doktoratës me titull: “Kultura gjuhësore e mediave në gjuhën shqipe në RMV (1990-2024)”. Duke u thirrur në punën origjinale, në kompetencat gjuhësore dhe në përvojën shumëvjeçare në gazetari, Osmani deklaroi se “të gjithë do të kishin pasur dëshirë ta kenë Laurën kandidate për titullin doktor i shkencave”. Vlerësime të larta për përmbajtjen e punimit, metodologjinë dhe metodat e hulumtimit dhanë edhe profesorët Hamiti, Nesimi Toska dhe Hajdari Qamili. Sipas tyre kandidatja jo vetëm që është kompetente për çështje që kanë të bëjnë me gazetarinë por posedon njohuri të thella edhe për çështje gjuhësore.  Gërshetimi i këtyre elementeve, sipas Komisionit për mbrojtjen e disertacionit të doktoratës, e bëjnë punimin në fjalë të veçantë në llojin e vet. Sakaq, vetë dr. Laura Papraniku Bejtullau, shpjegoi se punimi i saj nuk është një hulumtim për çështjet e (mos) respektimit të rregullave të drejtshkrimit dhe normave gramatikore, por një hulumtim për rëndësinë që kanë mediat në drejtim të ndërgjegjësimit dhe zhvillimit të kulturës gjuhësore. Në fokus të hulumtimit është hapësira që mediat ia kanë dedikuar debatit për çështjet e  gjuhës shqipe, të analizuara dhe klasifikuara sipas pesë disiplinave gjuhësore: kulturë gjuhe, dialektologji, onomastikë, gjuhësi e zbatuar dhe didaktikë e gjuhës.

Shikoni gjithashtu

U realizua me sukses tribuna shkencore “Gjuha dhe kultura”

Të martën (më 14 prill 2026) në Fakultetin e Filologjisë “Bllazhe Koneski” në Shkup u …