Kolektivi i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore i Shqiptarëve – Shkup, i drejtuar nga Skender Asani, mori një udhëtim të tillë, me qëllim të njohjes nga afër me kulturën dhe traditën arbëreshe, si një nga gurët më të çmuar të kalasë sonë kombëtare…
…Në ndarje, përqafimi vëllazëror tradhton sytë e arbëreshëve, që pikojnë lot dhe mall për fatin e trishtë të zogjve të shqipes, që u davaritën gjithandej nëpër botë. Ne me vete morëm besën e tyre, se do ta ruajnë si sytë e ballit amanetin e të parëve për Gjuhën e Zemrës – arbërishten…
Shkruan: Sevdail DEMIRI, Kozencë/Itali
Një rrugë e gjatë nëpër tokë e det duhej bërë nga Shkupi në këtë mesprill 2019, për të arritur në ‘zogun e këmbës italiane’, aty ku me shekuj mrekullisht po mbijeton një komunitet i gjerë shqiptarësh, i ndarë nga trungu arbëror më se pesë shekuj më parë. Kolektivi i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore i Shqiptarëve – Shkup, i drejtuar nga Skender Asani, mori një udhëtim të tillë, me qëllim të njohjes nga afër me kulturën dhe traditën arbëreshe, si një nga gurët më të çmuar të kalasë sonë kombëtare.
Arbëreshët e Italisë popullojnë me shumicë rreth 50 fshatra, që jetojnë kryesisht në krahinën e Kalabrisë dhe Sicilisë, në Italinë Jugore, ndërsa caku ynë ishte Kalabria, konkretisht qyteti i Kozencës me fshatrat përreth. Në pjesën e vjetër të Kozencës, ndalemi para bustit të Skënderbeut. Pak metra më tutje, gjendet Kisha Arbëreshe, e cila daton nga shekulli i XVI. Aty e takojmë priftin Pjetër Lanca, i cili pasi e mbaron shërbesën, na përqafon të gjithëve vëllazërisht dhe me një shqipe arkaike, na rrëfen itinerarin arbëresh. “Arbërishten e kemi Gjuhë të Zemrës, kurse italishten Gjuhë të Bukës”, thotë ai.
Dita e nesërme na gjen në Universitetin e Kalabrisë, në periferi të Kozencës, si e vetmja qendër publike universitare në gjithë krahinën kalabreze dy milionëshe, e cila në gjirin e saj mblidhte afër 30.000 studentë në 80 drejtime studimore. Aty na pret krahëhapur drejtuesi i degës së Albanologjisë, Francesko Altimari, i cili vite më parë ishte edhe mysafir i Institutit shqiptar në Shkup. Me qindra projekte studimore kryesisht në fushën e studimit të arbërishtes, shpërndaheshin nëpër programe studimore, nëpër libra, fjalorë, enciklopedi e konferenca shkencore të kësaj dege, që nga viti 1975. Ai na njofton se në gjithë Italinë funksionojnë gjithsej gjashtë katedra albanologjike, dhe në vazhdimësi është duke u punuar që të mblidhet i gjithë fondi i trashëgimisë kulturore arbëreshe, që të konkurrohet për të qenë e mbrojtur nga UNESCO. Njoftohemi nga afër me procesin e digjitalizimit të leksikut të pasur arbëresh, një projekt shumë domethënës i cili po zhvillohej duke ndjekur standardet më të larta të hulumtimit shkencor. Bashkë e vizitojmë Bibliotekën e Shkencave Humane të Universitetit të Kalabrisë, ku fascinohemi nga fondet shumë të pasura me botimet shqipe. Tani kjo bibliotekë u pasurua edhe me afër 100 libra e revista të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore i Shqiptarëve – Shkup, të cilat ua dorëzoi drejtori Asani, duke e prezantuar edhe punën dhe veprimtarinë e Institutit tonë në Shkup.
“Benvenuti a S.Cosmo Albanese – Mirë se erdhët në Strighar”, qëndrojnë dy tabela të mëdha para hyrjes në fshatin e lindjes së poetit të njohur arbëresh Zef Serembe (1843-1901). Busti i tij sot qëndron para godinës së Bashkisë së Strigarit, ndërsa rrugët kryesore të fshatit janë të dekoruara me pllaka ku spikasin vargjet e tij me mbishkrimin “Rrugëtimi serembian”. Një takim spontan me banorët dhe autoritetet komunale, ndërsa nënkryetari i bashkisë, Arkangjel Minishi, na shoqëron rretherrotull duke na i treguar të gjitha veçoritë etnografike të fshatit. Afër kishës ndodhet edhe Pallati i De Radës, një ndërtesë e madhe muzeale ku gjenden të ekspozuara fotografi, ikona, mjete të punës, biblioteka, makina e shkrimit, madje edhe shtrati i poetit të madh, ikonës së Rilindjes Kombëtare. Jeronim De Rada, ky poet e veprimtar i madh, u bë edhe pionier i gazetarisë shqiptare, duke e botuar gazetën e parë të njohur në historinë e shtypit shqiptar “L’albanese d’Italia – Shqiptari i Italisë” (1848).
Befasia e radhës na pret në Bashkinë e Qanës (Cerzeto), përkatësisht në katundin Shën Japëk. Kryebashkiaku Xhuzepe Rico, përfaqëson në mënyrën më brilante komunitetin arbëresh. Ai thotë se arbëreshët janë mjaft të bashkuar, por shumë pak ndihet dora e shtetit në këto anë, të cilat gjithnjë e më shumë po shpopullohen. Të rinjtë ikin për punë dhe jetë më të mirë nëpër qendrat e mëdha, ku ndjesia për identitetin arbëror dita-ditës zvetënohet. Rico, bashkë me mësuesen e re të arbërishtes, Sandra Domaniko, na prezanton muzeun e ri etnografik të fshatit, i cili së shpejti pritet të hapet për publikun. Aty ndërkohë vjen mësuesi Karmine Stamile, i cili e kishte mbledhur gjithë trashëgiminë e pasur të fshatit dhe e kishte grumbulluar në atë muze plot me vegla të vjetra të punës, veshje arbëreshe, fotografi, libra. Muzeu do të quhej Pallati Fazio, meqë po ngrihej në shtëpinë e dikurshme të mjekut të fshatit Oreste Fazio, me kontributin e Bashkisë Qanë. Përmbi fshat ndodhej Kisha katolike e ritit latin, ku kishte shërbyer Anton Santori, në nderim të të cilit, emrin e tij e mbante sheshi përskaj kishës. Mësues Stamile, nuk na lëshon pa na ftuar në shtëpinë e tij për provuar ca pije dhe gatime tradicionale arbëreshe. Atmosfera do të kulmojë nën tingujt fascinues të çiftelisë së studiuesit të folklorit Izaim Murtezani, dhe këngës “Xhamadani vija-vija”, të cilën do ta përcillnim të gjithë bashkë si në kor.
Të nesërmen zbarkojmë në katundin Frasnitë. Me ndihmën e kolegut Mustafa Ibrahimi, i cili disa herë i kishte vizituar këto zona, shkojmë drejt e te dera e një arbëreshi të dëgjuar anekënd trojeve shqiptare. Antonio Belushi, që tani kishte shkelur në vitin e 85-të të jetës, është prift arbëresh, gazetar, shkrimtar, pedagog, etnolog dhe veprimtar i dalluar i kauzës arbëreshe. Së pari nxjerr në ballkon flamujt kombëtar, na fton në sallën e bibliotekës së tij, e aktivizon magnetofonin me këngë arbëreshe në sfond, dhe me një shqipe shumë të kuptueshme fillon të na rrëfejë historinë e degdisjes së arbërve në këto troje nga trevat jugore, që në kohën e Skënderbeut. Belushi është autor i dhjetëra librave që rrëfejnë për historinë dhe trashëgiminë kulturore arvanitase dhe arbëreshe, ndërsa që nga viti 1980 botues i revistës “Lidhja”. Thesari i tij më i madh është Biblioteka që bartë emrin e tij, ku gjenden mbi 10.000 tituj librash, gazetash e koleksionesh nga të gjitha trevat arbërore-shqiptare. Pranoi me kënaqësi ftesën e drejtorit Asani, që së shpejti ta kemi edhe në Shkup, në ndonjë aktivitet shkencor të Institutit. Na ‘qerasë’ me libra dhe revista, dhe bashkë me motrën Rina na uron rrugë të mbarë me këngën arbëreshe “Shtrëngoni dorën o vëllezër”.
Lëshohemi rrugës me gurë të gdhendur të Frasnitës për të shkuar te autobusi që na priste, dhe meqë disa nga ne u vonuam duke parë stilin e veçantë të arkitekturës frasnite, kur afrohemi te autobusi dëgjojmë ushtima, këngë me çifteli nga një shtëpi arbëreshe! Izaimi me Besnikun, Isametin, Riniun, Blerimin, Isamedinin, Izerin, ia kishin krisë këngës “O malet e Arbërisë…”. Spontanisht kishin hasur mu para derës së një admiruesi dhe kultivuesi të kulturës arbëreshe, Mikel Greko, kryetar i Shoqatës Kulturore Folklorike “Vëllezërit Arbëreshë”. “Kam hare… Zemrat tona u bënë një…”, thotë Mikeli plot mall për emocionet e papritura që i dhuruan mysafirët nga Shkupi. Në rolin e publikut ‘ahengut’ iu bashkëngjitëm edhe ne që zëri fort nuk na shkonte, por që nuk përtonim për të duartrokitur, unë, Skenderi, Seferi, Avziu, Halili, Mustafa, Miniri, Murtezani, Agroni, Elhami, Nexhati, ciceroni Avdirahimi.
Disa kilometra nga Frasnita e frashëllinjve, ngjitemi në njërin nga fshatrat më të bukur jo vetëm se të Kalabrisë, por edhe mbarë Italisë. Çifti apo Cerzeto në italishte, shtrihej midis shkëmbinjve të thepisur, të cilat në fundin e tyre krijonin kanjone me bukuri përrallore. Në sheshin kryesor na pret busti i Skënderbeut, dhuratë nga qeveria shqiptare (2008), dhe lëshohemi kah Bashkia, përballë të cilës gjendet “Museo Etnico Arbëresh”, një muze lokal shumë i pasur me veshje, mjete të punës, fotografi të ndryshme. Aty e kishte selinë edhe revista kulturore me emër tipik shqiptar “Katundi Ynë”, e themeluar që në vitin 1970. Disa nga arbëreshët që takuam aty thanë se çdo ditë kanë vizitorë nga të gjitha trevat e Italisë, ndërsa shqiptarët janë më të rrallë, prandaj edhe ky takim ishte më i veçantë. Atëherë kur nuk arrinim të kuptoheshim mirë me fjalë, Besnik Rameti u kërkon të këndojnë arbërisht, dhe të gjithë bashkë ia thonë “Moj e bukura More…”.
Në ndarje, përqafimi vëllazëror tradhton sytë e arbëreshëve, që pikojnë lot dhe mall për fatin e trishtë të zogjve të shqipes, që u davaritën gjithandej nëpër botë. Ne me vete morëm besën e tyre, se do ta ruajnë si sytë e ballit amanetin e të parëve për Gjuhën e Zemrës – arbërishten.
“Hare, hare…”, na përshëndetën arbërisht!
Gjatë rrugës në drejtim të Barit, e më pas Durrësit dhe Shkupit, ndalemi në një qytet të vjetër sa vetë historia e njerëzimit. Matera, një vendbanim turistik, gërmadhë në gropë të gurit, nën mbrojtjen e UNESKO-s, vërshohej nga qindra vizitorë nga të gjitha këndet e botës! Por ama, në asnjë kënd të saj nuk gjejmë dot ngrohtësinë e Shpirtit të Arbrit, që e gjetëm në Kozencë, Strigar, Qanë, Frasnitë, Çifti… Kujtimet tona do të jetojnë gjatë matanë Adriatikut! /Koha/