Shkup, 14.12.2018 – Sot në galerinë e Shtëpisë Përkujtimore të Nënës Terezë në Shkup u nënshkrua një memorandum bashkëpunimi ndërmjet Shtëpisë Përkujtimore të Nënës Terezë dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup. Nënshkruesit e këtij memorandumi ishin drejtori i Shtëpisë së Nënës Terezë, Arian Asllanaj dhe drejtori i Institutit, dr. Skender Asani.
Me këtë rast drejtori i Institutit, Asani, deklaroi: “Ndjej kënaqësi që për herë të parë Shtëpia e Nënës Terezë po drejtohet nga një drejtor, që është pasardhës i gjakut dhe gjuhës dhe i qytetit të Gonxhe Bojaxhiut. Kjo është një arritje historike për shqiptarët në Maqedoni”. Më tej ai vazhdoi: “Instituti jonë ka kënaqësi që të vendosë urë formale të bashkëpunimi me Shtëpinë e Nënës Terezë dhe ne jemi të bindur se emri i Shën Terezës, i familjes Bojaxhiu dhe, në përgjithësi, i familjeve katolike shqiptare, tashmë ka një adresë të dinjitetshme, ndërsa ne si Institut jemi të gatshëm që gjithë përvojën tonë shkencore dhe materialet që kanë të bëjnë me këtë figurë t’i këmbejmë me Shtëpinë e Nënës Terezë. Ky është detyrim i joni shkencor dhe kombëtar”, përfundoi ai.
Ndërkaq drejtori Asllanaj u shpreh: “Sot po nënshkruajmë një memorandum bashkëpunimi me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve dhe mikun tim, Skender Asani, duke vendosur kështu një gurthemel të rëndësishëm për bashkëpunimin mes dy institucioneve tona, gjithnjë duke shpresuar se kështu do ta afirmojmë edhe më shumë emrin dhe veprën e Nënës Terezë”.
Palët janë dakorduar që të realizojnë një bashkëpunim më afatgjatë mes vete, ndërsa për vitin që vjen ato janë marrë vesh që t’i realizojnë disa projekte, si: Shënimi i 100-vjetorit të vdekjes së babait të Nënës Terezë, Kolë Bojaxhiu (konferencë shkencore dhe aktivitete përkujtimore); Botimi dhe promovimi i vëllimit të dytë “Familjet katolike shqiptare në Shkup II”; Hulumtimi i dokumentacionit në Zvicër dhe në Vatikan për jetën e Nënës Terezë, etj.
Në fund të solemnitetit drejtori Asani, në shenjë simbolike për bashkëpunimin e mbarë, ia dhuroi drejtorit Asllanaj një kopje të librit “Familjet katolike shqiptare I”, ndërsa drejtori Asllanaj ia dhuroi drejtorit Asani një medaljon me portretin e Nënës Terezë.