Shkup, 25.08.2025 – Sot në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup u zhvillua takim pune mes Dr. Besnik Eminit, u.d. drejtor i Institutit dhe Prof. Dr. Bekim Fetajit, rektor i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup.
Gjatë takimit u bisedua për thellimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve dhe për realizimin e aktiviteteve të përbashkëta.
Mysafirët u mirëpritën nga u.d. drejtori i Institutit, Dr. Besnik Emini, i shoqëruar nga Dr. Isamedin Azizi, Kryetar i Këshillit të Institutit, dhe Dr. Shejnaze Ajdini-Murtezi, hulumtuese shkencore në Institut.
Rektorin Prof. Dr. Bekim Fetaji e shoqëruan prorektorët, Prof. Inor. Dr. Diturije Ismaili dhe Prof. Inor. Dr. Fati Iseni, si dhe anëtari i senatit, Prof. Inor. Dr. Argëtim Saliu, bashkë me Mr. Driton Zendeli dhe Mr. Bejamin Rexhep.
Rektori i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, Prof. Dr. Bekim Fetaji, dhe u.d. drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, Dr. Besnik Emini, nënshkruan një Memorandum Bashkëpunimi me qëllim zhvillimin e përbashkët të programeve arsimore dhe kërkimore, si dhe realizimin e aktiviteteve shkencore e akademike me interes të ndërsjellë.
Marrëveshja parasheh nxitjen e kërkimeve shkencore, shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e kapaciteteve institucionale, duke hapur mundësi për projekte të reja bashkëpunimi që do të detajohen përmes memorandumeve të veçanta.
Rektori Fetaji dhe u.d drejtori Emini theksuan rëndësinë e këtij partneriteti në avancimin e shkencës, kulturës dhe edukimit. Ky bashkëpunim shënon një hap të ri drejt forcimit të lidhjes ndërinstitucionale dhe shërben si bazë për projekte të përbashkëta me ndikim afatgjatë në komunitetin akademik dhe shoqëror.