Shkup, 27.2.2019 – Sot në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup u nënshkrua një memorandum bashkëpunimi ndërmjet Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup, të përfaqësuar nga drejtori Dr. Skender Asani, dhe Fakultetit të Shkencave Islame – Shkup, të përfaqësuar nga dekani Dr. Shaban Sulejmani.
Me këtë rast Dr. Asani deklaroi: “Nënshkrimi i këtij protokolli të bashkëpunimit është një ogur i mirë për bashkëpunimin e munguar mes dy institucioneve tona dhe ne jemi të bindur se kështu kemi vendosur një gurthemel të fuqishëm për të ardhmen shkencore të shqiptarëve në Maqedoni, të cilët – për hir të së vërtetës – me shumicë i përkasin konfesionit islam.”
Nga ana tjetër, dekani dr. Shaban Sulejmani shprehu kënaqësinë e tij nga nënshkrimi i këtij memorandumi dhe tha se: “Nënshkrimi i këtij memorandumi është shenjë e vullnetit të mirë se ky Institut është i hapur të bashkëpunojë me Fakultetin e Shkencave Islame, që është institucioni i vetëm shkencor islam në Maqedoni. Shpresoj se kështu ne do të realizojmë projekte të përbashkëta për të vërtetat shkencore dhe rolit të mbarë që e ka dhënë Islami në trevat shqiptare në Maqedoni”.
Ky memorandum bashkëpunimi nënshkruhet me qëllim që të vendosen ura institucionale të bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy institucioneve shkencore dhe arsimore në vendin tonë. Në frymë të këtij memorandumi pritet që së shpejti të organizohet edhe një konferencë e përbashkët shkencore.