(Reagim ndaj shkrimit me titull “Shkupi ishte një prej tri qendrave kryesore politike – administrative shqiptare?!” botuar në gazetën “Nova Makedonija”, të datës 7 korrik 2024)
Rrallë dhe gati asnjëherë ndodhë që librat e botuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (mbi njëzetë tituj çdo vit), të kenë vëmendjen e duhur të shtypit në gjuhën maqedonase dhe të opinionit publik maqedonas. Por, çuditërisht kjo vëmendje, me shumë defekte profesionale dhe me pasaktësi, sikur erdhi në shprehje tash së fundmi në gazetën “Nova Makedonija”, të datës 7 korrik 2024. Redaksia e kësaj gazete i paska rezervuar hapësirë një shkrimi pa autor, i cili me fakte të shtrembëruara e argumente banale është munduar të kontestojë librin “Shkupi, vetë historia e Kosovës”, botuar nga ITSHKSH para dy viteve.
Ky shkrim pa autor ta kujton kohën e errët të monizmit kur nëpër gazeta botoheshin kumtesat e Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve, ku gjithmonë në shënjestër ndodhej ndonjë individ a grup i pafajshëm njerëzish, të cilët pastaj ose mbetnin pa punë, ose përfundonin prapa grilave. Është për të ardhur keq se pikërisht një gazetë me traditë të gjatë, si “Nova Makedonija”, që dikur njihej si shkollë e madhe gazetarie, të përfundoj në një kasollë të vogël tekstshkruesish anonim, të cilët frustrimin e tyre joprofesional mundohen ta shkarkojnë duke sajuar e trilluar teza të paqëndrueshme e qesharake mbi veprimtarinë shkencore-botuese të ITSHKSH.
Do të duhej të lexohej shkrimi me titull “Shkupi ishte një prej tri qendrave kryesore politike – administrative shqiptare?!” botuar në “Nova Makedonija”, për ta kuptuar opinioni publik se sa e vogël paska mbetur kjo gazetë e madhe, e cila në vend se të merret me interpretimin objektiv të këtij libri nga ndonjë profesionist i fushës, ajo paska angazhuar një “snajperist” qorr që godet shtrembër. Ky i fundit duke “konsultuar” bashkëbisedues të shumtë, por pa emra, nga pamundësia për të gjetur shtegun e së vërtetës, e ka ngatërruar lexuesin teksa e ka futur nëpër mjegullat e insinuative dhe paragjykimeve të padobishme.
Libri “Shkupi, vetë historia e Kosovës”, që nga titulli e deri në vet materien që trajton, është fryt i punës disa vjeçare hulumtuese në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë të ish-ministrit të Punëve të Jashtme të Italisë A.Stranieri dhe konzullit të Italisë në Shkup, i cili ushtroi detyrën e tij gjat Luftës së Dytë Botërore.
Libri përfshin mjaft të dhëna historike dhe statistikore për kryeqendrën e Vilajetit të Kosovës – Shkupin si edhe njoftime interesante mbi trevat dhe banorët e këtij vilajeti, përfshi edhe maqedonasit. Shënimet diplomatike italiane rezultojnë të jenë të paanshme dhe dëshmojnë realitete të pakontestueshme historike, arkeologjike e etno-kulturore, por në asnjë mënyrë nuk kanë për qëllim të glorifikojnë njëanshëm historinë e njërit popull në dëm të popullit tjetër.
Një autor që merr guximin të botoj shkrim pa emër në gazetë, këtë e bën për dy arsye: ose frikësohet nga ballafaqimi i të vërtetës që mund të pasoj, ose ky autor anonim ka qenë vetëm transmetues i porosive të ndonjë korrieri të dëshpruar që ka dashur të njollos ITSHKSH-në, duke e paraqituer atë si botues joserioz që gjoja po i harxhoka kot paratë e taksapaguesve maqedonas për “botime të dyshimta”, siç thuhet në tekst.
ITSHKSH ka adresë, ka udhëheqësi dhe mbi të gjitha ka të ndërtuar një strategji planifikimesh shkencore-hulumtuese e botuese, mbi të cilën është ngritur gjithë veprimtaria disa vjeçare e këtij Instituti. Prandaj na duket e pavend dhe tepër jodinjitoze qasja e gazetës “Nova Makedonija” ndaj punës që bën Instituti ynë, përfshi edhe botimin e librit të sipërpërmendur, i cili jo vetëm që nuk është lexuar nga artikullshkruesi anonim, por ai është përdorur për të instrumentalizuar një fushatë denigruese ndaj ITSHKSH.
Me formulime paushalle e krejt tendencioze, shkrimi në fjalë tingëllon si një aktakuzë nebuloze që ngërthen në vete mjerimin e një sharlatanizmi gazetaresk që bazohet në gjoja mendimin e disa ekspertëve pa emër dhe mbiemër, të cilët paskan konstatuar se “publikimet dhe librat e tilla në mënyrë eklatante e denominojnë popullin maqedonas dhe kanë tendencë për njëfarë hegjemonie… me qëllim të retushimit dhe revidimit të historisë maqedonase… ”
Libri “Shkupi, vetë historia e Kosovës” nuk ka kurrfarë lidhje me insinuatat e mësipërme, për arsye se jo vetëm që nuk merret me kurrfarë retushimi të historisë maqedonase, por ai as që merret me fantazirat e artikullshkruesit anonim dhe më së paku me prejudikimet qesharake të “ekspertëve” pa emër dhe mbiemër, të cilët gjoja citohen të kenë dhënë mendime për këtë liber. Në fakt, në krejt këtë karikaturë të quajtur “analizë” mbi librin “Shkupi, vetë historia e Kosovës”, nxjerr krye një dorë e pasprovuar e cila duke dashur të fsheh gjurmët e budallallëkut, megjithatë ka lënë shteg për të dyshuar se vetëm ndonjë korrier i dëshpëruar ka mundur ta nxjerr këtë liber në “arenën e gladiatorëve” anonim, të cilët as e kanë lexuar, as e kanë kuptuar librin në fjalë. Kjo edhe për faktin se dikush ka dëshirë të rikthej kohët e errta të cenzurës, kur libri konsiderohej armik, kurse ata që shkruanin e botonin libra, mbaheshin nën vëzhgimin e rreptë të syrit vigjilent të korrierëve që luanin edhe rolin e shejtan budallenjëve.
Shkrimi me titull “Shkupi ishte një prej tri qendrave kryesore politike – administrative shqiptare?!” botuar në “Nova Makedonija” do të konsderohej si përpjekje amatore për të deformuar përmbajtjen e librit të përmendur, sikur të mos kishte edhe një kërcënim të hapur në stil gati policor: “Të ndërpritet publikimi i falsifikateve historike dhe financimi i tyre nga ana e institucioneve të shtetit”.
Zbritja në nivelet kaq të ulta të rezonit publicistik nga ana e një gazete, e cila bëhet përçuese e kërcënimeve policore në adresë të Institutit tonë, flet për recidivat e një mendësie të tejkaluar sipas së cilës dikush ishte i privilegjuar të jepte, kurse tjetri duhej ta meritonte që të merrte diçka. Me fjalë të tjera, po na troket në derë njëmendësia që si produkt final kishte mbajtjen nën kontroll të të gjitha segmenteve të jetës intelektuale e shkencore, përfshi edhe veprimtarinë botuese e cila në vend se të dizajnohet nga ana e botuesve, ajo duhet paraprakisht t’i nënshtrohet njëfarë verifikimi që mund ta bëjnë korrierët e dëshpëruar që vrapin për pushtet e bëjnë duke rënë në gropat që i bëjnë vet.
Instituti i Trashëgimisë Kulturore e Shpirtërore të Shqiptarëve