ITSHKSH SHËNON 25-VJETORIN E DËBIMIT MASIV TË SHQIPTARËVE NGA KOSOVA

 Shkup, 8 prill 2024 – Në Qendrën përkujtimore “Bllaca 99”, sot u shënua 25-vjetori i Eksodit të Bllacës, ngjarjes së dhimbshme të historisë kombëtare të fundit të shekullit njëzet, ku mijëra shqiptarë të Kosovës me dhunë u detyruan të largohen nga vendi i tyre për shkak të gjenocidit masiv të ushtruar nga pushteti serb. Me këtë rast,  kujtimin e sakrificës së bashkëkombësve tanë, krahas përfaqësuesve të ITSHKSH-së, e nderuan dhe e përkrahën përfaqësues të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe  Hanit të Elezit.

Në hapje të ngjarjes, drejtori Skender Asani tha se memoriali “Bllaca 99”, që u themelua para pesë vjetësh me iniciativë të ITSHKSH-së, shërben si thirrje që Bllaca të shndërrohet në një “vendpelegrinazh për të nderuar dhe kujtuar viktimat e gjenocideve ndaj shqiptarëve në të gjitha kohërat, ide me anë të së cilës ne u dalim borxh viktimave të luftërave dhe vuajtjeve, në formën e një proteste dinjitoze ndaj tendencave që e mohojnë gjenocidin në Kosovë”.

Ndërkaq, Vigan Qorroli, zv.Ministri i Drejtësisë në Republikën e Kosovës, me këtë rast tha se ministria është e angazhuar në administrimin e shkeljeve kundër të drejtave njerëzore me një infrastrukturë gjithnjë e më të përgatitur ligjore, gjë e cila i ka munguar më parë dhe njëkohësisht shprehu një mirënjohje të thellë  për solidarizimin e shqiptarëve të Maqedonisë në kohërat më të vështira për Kosovën..

Atdhe Hetemi, Drejtori i Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, tha se institucioni në fjalë, i cili rishtazi u vu sërish në funksion, punon në drejtim të dokumentimit të çdo dëshmie që tregon për krimet e luftës dhe pasojat e tyre të tmerrshme, duke ndihmuar kështu në sjelljen e drejtësisë për viktimat por edhe në edukimin brezave të ardhshëm, gjë të cilën e thkesoi edhe Teuta Shala-Peli, drejtoreshë e Institutit të historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, duke thënë se “vetëm me  fakte dhe argumente duhet dëshmuar sakrifica e popullit shqiptar për të drejtat themelore të lirisë dhe pavarësisë.”

Në ngjarje mori fjalën dhe kryetari i Komunës së Hanit të Elezit Mehmet Ballazhi me një thirrje të përhershme ndaj institucioneve që të mbështesin këtë projekt për të përkujtuar atë që konsiderohet si “Holkausti i shqiptarëve”.

Shikoni gjithashtu

AKADEMI SOLEMNE NË ITSHKSH, NË SHENJË TË RUAJTJES DHE ZHVILLIMIT TË ABC-së SHQIPE

“Sot, kur po kremtojmë një festë të dyfishtë – 116 vjetorin e Kongresit të Manastirit …