ITShKSh përuroi veprën për historinë e dyshekullore të shqiptarëve të Maqedonisë

Shkup, 18 nëntor 2023 – Ditën e shtunë, edicioni i pestë i manifestimit “Ditët e Alfabetit” iu kushtua përurimit të librit “Zhvillimet kulturore historike te shqiptarëve në Maqedoni gjatë shekujve XIX dhe XX”, botimi më i ri shkencor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.

Drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, në cilësinë e hulumtuesit kryesor të këtij projekti botues, tha se me këtë vepër kemi bërë hapin e parë duke lënë një gjurmë konkrete që dëshmon për të kaluarën historike të shqiptarëve të territorit të sotëm të Maqedonisë së Veriut. Ky libër do të duhet të shërbejë edhe si pikë referuese gjatë shkrimit të teksteve shkollore, të cilat shpeshherë kanë qenë problematike për nga qasja ndaj problemeve shqiptare.

Në fjalën e tij të rastit, zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Agim Nuhiu, tha se u vjen mirë që ky projekt hulumtues shkencor u mbështet në fakte, dokumente dhe prova shkencore, larg çdo ndjeshmërie emocionale dhe paragjykimeve aprioristike. Prandaj, sipas Nuhiut, ky libër është me mjaft interes për studentët, shkencëtarët dhe lexuesit në përgjithësi.

Për këtë vepër në mënyrë të hollësishme referuan dy studiuesit, profesorët e njohur universitarë Zeqirja Idrizi – historian dhe Sefer Tahiri – komunikolog, të cilët theksuan se bëhet fjalë për një projekt ambicioz, i cili mëton ndriçimin e historisë bashkëkohore të shqiptarëve në territorin e Maqedonisë së sotme Veriore, e cila gjatë 200 viteve të fundit ka ndryshuar emrin e saj, por edhe kufijtë e saj. Ky botim është një thesar i çmuar i historiografisë shqiptare, një botim i cili brenda faqeve të veta përfshin memorien kolektive të shqiptarëve, një vepër, e cila vetvetiu posedon vlerë historike, por në veçanti vlera e saj është se hap pistat e hulumtimeve shkencore të së kaluarës shqiptare në dekadat e përgjakshme, por edhe dekadat e refuzimit të plotë dhe pa hamendje të përbuzjes së identitetit kolektiv.

Njëri nga autorët e këtij botimi, Sevdail Demiri, tha se përmes këtij hulumtimi kemi synuar të pasqyrojmë realitetin objektiv kulturor dhe historik te shqiptarët e kësaj treve gjatë dy shekujve të kaluar, duke dhënë një version autokton shqiptar, pa ndikime emocionale, etnike apo ideologjike. Ky libër i shtrirë në 500 faqe, sjellë fakte, të cilat janë të dokumentuara me anë të materialeve arkivore të botuara për herë të parë, të cilat ruhen në sirtarët e arkivave të ndryshme, si pasqyrë autentike e rrugëtimit të vuajtur, por gjithmonë krenar dhe faqebardhë të shqiptarëve në trajektoren historike.

Aktiviteti i radhës në kuadër të “Ditëve të Alfabetit”, vjen ditën e hënë, më 20 nëntor 2023 (e hënë), ora 10:00  në sallën W.Wilson në ITSHKSH – Shkup, me ç’rast do të prezantohet Akademia e Shkencave e Shqipërisë me tre projektet madhore në albanologji: “Historia e shqiptarëve”, “Fjalori i madh i shqipes” dhe “Enciklopedia shqiptare”.

Shikoni gjithashtu

ITSHKSH ORGANIZON KONFERENCËN SHKENCORE “ZEJTARIA DHE PUNIMET ARTIZANALE NË TREVAT SHQIPTARE”

 INSTITUTI I TRASHËGIMISË SHPIRTËRORE E KULTURORE TË SHQIPTARËVE – SHKUP   organizon konferencën shkencore vjetore “Java …